Varianti BA.1 (Omicron) i virusit Sars-CoV-2 përbën pjesën më të madhe të infektimeve me Covid në mbarë botën.
Ndërkohë që ekspertët studiojnë këtë nënvariant – që duket se është më i transmetueshëm se Delta, por më pak i rrezikshëm – janë ngritur pikëpyetje në lidhje me një nënlloj të Omicron.
Globalisht, BA.1 përbënte 98,8% të rasteve të paraqitura në bazën e të dhënave publike të gjurmimit të viruseve GISAID që nga 25 janari. Por disa vende po raportojnë rritje të BA.2 kohëve të fundi, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). BA.2 është një variant i lidhur ngushtë gjenetikisht me Omicron, por me disa mutacione që e bën të ndryshëm.
Trevor Bedford, një virolog kompjuterik ka ndjekur evolucionin e Sars-CoV-2 dhe të premten shkroi në Twitter se BA.2 përfaqëson afërsisht 82% të rasteve në Danimarkë, 9% në Mbretërinë e Bashkuar dhe 8% në SHBA. Varianti BA.2 është raportuar gjithashtu në Australi dhe Indi.
Më i transmetueshëm?
Disa raporte të mëparshme tregojnë se BA.2 mund të jetë edhe më infektues se BA.1, por nuk ka asnjë provë deri më tani që ka më shumë shanse që t’i shmanget mbrojtjes së vaksinës. Deri tani, ekspertët thonë se vaksinat dhe dozat përforcuese ende sigurojnë mbrojtje duke reduktuar simptomat e rënda ose shtrimet në spital.