Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Edona Maloku – Bërdyna sot në një konferencë për media ka bërë me dije se mbi 1,400 mësimdhënës dhe mbi 6 mijë nxënës janë të infektuar me COVID-19 në gjithë Kosovën.
Zëvendësministrja Maloku-Bërdyna në konferencëm për media ka bërë thirrje për respektim të masave në shkolla dhe për vaksinim të fëmijëve mbi moshën 12 vjeçare.
“Nga 23 mijë e 90 mësimdhënës sipas të dhënave që ka dërguar drejtoritë komunale me COVID-19 kanë gjithsej 1,489 mësimdhënës. Nga 298 mijë e 29 nxënës, aktiv me COVID-19 janë 6 mijë e 687. Ndërsa sa i përket numrit të shkollave sipas raportimeve që i kemi marrë nga terreni të dhënat janë këto, me skenarin rikthimi pra me prani fizike dhe me orar të plotë janë gjithsej 672 shkolla, që i bie që shumica e shkollave ende vazhdojnë të operojnë me skenarin rikthimi.
Me skenarin A në total i kemi shtatë shkolla, në skenarin B që kombinon prezencën fizike dhe atë online i kemi pesë shkolla, ndërsa skenari C ose kalimi në mësimdhënie online është gjithsej 90 shkolla”, tha ajo.
Zëvendësministrja e MASHTI-t ka bërë thirrje për respektim të masave në shkolla dhe për vaksinim të fëmijëve mbi moshën 12 vjeçare.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon se në total numri i rasteve aktive me coronavirus është 28,751.
Të enjten janë shënuar 6 raste të vdekjes nga COVID-19 dhe 3,917 raste të reja pozitive.