Këtë muaj, letërsisë shqipe i shtohet një autobiografi psikonarrative e Donjetë Ahmetaj, e cila do ta botojë librin e saj më të ri të titulluar “Udhëtim për ty”, një bisedë me vajzën që do të lindë, për t’ia mësuar virtytet më të vlefshme bazuar në përvojën e saj njerëzore.
Ky është libri i parë i saj në këtë tip literature, ndërsa libri i dytë në tërësi, pas botimit të librit me poezi “Ngjyra moshe” në vitin 2008.
Autorja sjell këtë libër në formë letrash, mes letërsisë dhe psikologjisë, jo e kufizuar në margjinat e njërës apo tjetrës, mbështetur në përvojën e vet ekzistenciale për të nxjerrë këshilla e mësime për atë që vjen në jetë – vajzën e saj.
Libri përmban 38 tregime të shkurtra, prej Madhështisë së prindërimit që pëshkruan një fillim, si për nënën (epiteti nënë), ashtu edhe për vajzën (jeta), deri te Mirënjohja – virtyti i fundit që jepet në libër, duke përshkruar filozofikisht vlerat dhe virtytet njerëzore, përmes rrëfimeve autobiografike.
Gjithashtu, libri përmban një parathënie nga studiuesi dhe shkrimtari Agron Gashi, dhe një pasthënie nga psikologu Fitim Uka, që e cilësuan librin si një amalgagim të këtyre dy fushave.
Gashi theksoi se libri “është një autorrëfim interesant në trajtë letre, që i drejtohet foshnjës së pa lindur, formë kjo e njohur, por jo e shkruar te ne, që ta kujton Oriana Fallaçin, por me qasje impresioniste, të mbështetur edhe në diskurs shkencor, pa e humbur ndjeshmërinë artistike.
Udhëtim për ty është një automatergrafi përplot leksione jetësore prej perspektivës së nënës dhe fenomenit, siç e quan autorja, të prindërimit, aty-këtu me detaje shkencore, por pa u larguar nga autobiografia psikonarrative me elemente letrare, herë-herë të lidhura fort për filozofinë ekzistencialiste dhe frymën e shkollës psikanalitike vjeneze (V. Frankl).”
Ndërsa, psikologu Uka tha se “libri mund të quhet një ditar nëne, një jetëshkrim i kufizuar në një periudhë unike.
Por, është më shumë se kaq, meqenëse i tërë libri është përplot me mesazhe të fuqishme jete, që vijnë në formulime të shkurtra, herë si këshilla për fëmijën që po vjen në jetë, herë si porosi për lexuesin.
Në këtë libër, nëna e projekton jetën e vajzës, e udhëheq atë nëpër secilën fazë, ia tregon vlerat që duhet t’i ketë, e paralajmëron për rreziqet që mund të hasë, prandaj edhe është një manual i mirë jete.
Plot mësime të vlefshme për jetën dhe vdekjen, respektin, vetëvlerësimin, ndërgjegjen, sakrificën, faljen e sinqeritetin, vijnë nga një nënë që flet dhe e këshillon vajzën e saj me sinqeritet dhe dashamirësi.”
Promovimi i librit do të bëhet së shpejti, ku njëherit autorja do të rrëfejë edhe eksperiencat e veta gjatë shkrimit të librit, në një bashkëbisedim me panelistët-recensues të librit dhe shkrimtarë të tjerë./Telegrafi.com