Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Thua se dhimbja e shpirtit nuk mjaftonte, veç edhe ajo torturë…!?

Shkruar nga: Getoarbë Mulliqi Bojaj

ABORTET më shumë se një dhimbje

Në përgjithësi njihem si person emocional. Nuk kam masë as në gëzim, as në hidhërim – asnjëherë nuk kam arritur të jem neutrale, për çfarëdo qoftë ajo ndodhi!

E natyrisht se as kur në testin e shtatzënisë m’u shfaqën dy vija – njëra e kuqe dhe tjetra një rozë e zbehtë nuk u kurseva nga ekzaltimi e lumturia e gëzimi. Pastaj edhe analiza e gjakut – madje fare mirë më kujtohet kur m’u kthye rezultati që jam hedhë goxha metra mbi tokë (më shumë se që e kisha mëndu se mundem) nga gëzimi. Edhe këtu fillon udhëtimi i dy tregimeve më të trishta të jetës sime…

Prej momentit kur e kupton që tashmë je në pritjen e ëmbël, krejt pjesa e mbetur e jetës ndryshon; secila grua e di atë ndjenjë kur e mendon rimodelimin e shtëpisë, ashtu që të jetë i përshtatshëm për bebin; ndryshimi i dhomës, sepse po vjen një shtrat i ri aty, pushimi i radhës të bëhet atje ku bebi nuk do të lëndohet; koncepti i NE DY, bëhet FAMILJA. Unë e di që kam qenë në “lule”; krejt flutura në bark. Madje shprehja e lumtur e fytyrës ka mundësi që nuk më ka lëvizë as edhe për një moment të vetëm. Në fakt, deri në ditën kur u zgjova në mëngjes dhe pashë njollat e gjakut. Ishte e diele. Doktori im ishte jashtë vendit, andaj unë iu drejtova mamit. Erdhëm në krejt përfundimet e mundshme bashkë, por për asnjë moment nuk e “konsideronim” shtatzëni të dështuar… të paktën mami jo. Por, ato fluturat në bark, u kthyen në flutura të këqija. Anksioze! E dija që diçka s’ishte në rregull… pastaj, kthehesha edhe mendoja sigurisht e kam nga “instinkti amnor”. Në fjalë të tjera “Geta e logjikshme” dhe “Geta emocionale” debatonin ashpër brenda kokës sime. Mëngjesi i së hënës erdhi, nuk kishte të rrahura të zemrës, por duke mos dashtë me i besua askujt në atë dhomë, doktorë, motra medicinale, teknologji, veshtë e mi, ndjenjës së fluturave të këqija në bark, o hiç, bash hiç askujt dhe asgjëje, kërkova edhe testin e gjakut. Aborti spontan kishte filluar!

Në fund të javës nëse nuk do të “pastrohesha vetë”, do më duhej me iu nënshtrua pastrimit. As ide nuk kisha për çka po flasin. M’u mbyllën veshtë, m’u mjegullua pamja para vetes. Sikur po e humbja vetëdijen. E di më ra tensioni komplet edhe bash nuk doja me i dëgjua duke fol për beben time qysh “kapet-shkapet”, “vakum-kiretazhë”, “fundi i javës – sot një javë”. Iu referoheshin dashnisë teme ma të madhe në botë, me termin “fetusi” dhe gjithmonë pas vinte “i pazhvilluar”. Më dhembte shumë se si asnjë nga ata njerëz nuk po më kuptonin.

Edhe këtu fillojnë më pas fazat e abortit spontan.

E para: e kupton që e gjithë çka ke ëndërrua për ato pak javë (11 javë) po të shemben para syve. Largohesh nga vendi ku e ke marrë lajmin ma të keq të jetës. Mendon me ikë nga gjithçka. Përfundon e ënjtur nga të qarat e pafundme. Madje edhe e qeshura e bebes së dikujt që po ecën prapa teje, të bën të qash. Je e zhytur në dhimbje deri në fyt, aq sa të zihet fryma.

E dyta: fillon faza e mohimit të asaj se çfarë ka ndodhë. Tash derisa pret me e pa se kur po fillon “pastrimi”, ti në fakt je shtatzënë, por nuk je më e një bebeje; tani je e një “fetusi të pazhvilluar”. E gjen veten duke e prekë barkun. Ai këndi i dhomës së fjetjes ku ke mëndu me e pas shtratin e bebes ende është aty dhe pa dashje ti po e mendon a do të jetë shtrati i rrumbullakët, apo katërkëndësh. Në dyqan e dëgjon një emër të bukur, shpejt e nxjerrë telefonin me e shkrua që ta kesh në rast se bebi është vajzë. Nuk e pi kafen, sepse është e dëmshme për bebin. Edhe pas secilës nga kjo të kapë trishtim i stër-madh. Të vjen të qash, po i ke harxhuar lotët “dje” edhe sot mundesh veç me vuajt nga brenda. *Për shumë muaj më pas, e kam gjetur veten në mëngjes me dorën në bark.

E treta: aborti ka përfunduar. Gjithçka bëhet e vërtetë. Të kujtohet secili person që e ka kaluar të njëjtën gjë sikur ti. Bashkë ndjenë me ta, tash për atëherë – sepse atëherë s’ke kuptuar se çfarë do të thotë. (Pra, nuk je shtatzënë 11 javëshe, duke e ditë vetëm për 5 javë që je duke e pritë një bebe, por je dikush që e ka imagjinuar edhe Universitetin në të cilin do të doje ta dërgoje fëmijën.) Në këtë fazë lufton me veten që me i largu mendimet e bukura nga koka, sepse tashmë ato ishin mendimet më të trishta. Edhe donë me qajtë, shumë, po shuuuumë. E nuk mundesh, ama ai lëmshi në gjoks nuk hiqet. Pjesa më e keqe është “ngushëllimet” – nuk mund të flas për kultura të tjera, por mënyra se si njerëzit të Kosovë të ngushëllojnë, është tepër e çuditshme. Pse mendon dikush që mua ka me më bë me u ndje më mirë fakti që “Hajt se je e re, bon prapë”, “Hajt se Filanja i ka pas 6 aborte, po qe tash ku i ka fëmijët si drita”, “Kështu ka qenë e shkrume”… hmmm, faleminderit shumë!!! Ose që veç e sheh veten që tashmë je kthyer në “institucion” i cili trajton raste të aborteve spontane; të gjithë e kanë nga një histori me e nda me ty – që nuk i kishin nda më herët. Unë kurrgjë nuk di me fshehë. Qysh mundet dikush një abort me e fshehë, ende nuk e kuptoj!

E katërta: FRIKA! PARANOJA! ANKSIOZITETI! Je e tmerruar nga ajo që të ka ndodhë. Si krejt nanat (pas lindjes së Evës kam ardhur në këtë përfundim) fillon e mendon vetëm më të keqen, si dhe je e prirur me e fajësua veten; Mos unë kam bo diçka gabim?; A ka mundë të jetë kjo apo jo?; Çka nëse më ndodhë prapë?; A thua a kam me bo bebe ndonjëherë?… lista më e gjatë e pyetjeve në botë. E keqja e kësaj liste është se këto pyetje nuk i ndaja me askënd, i bluaja në kokën time. Arsyeja: sepse kisha ndjenjën që askujt nuk po i dhembë sa mua. Në fakt unë kisha dhimbje psikike, fizike, emocionale e çfarë jo tjetër.

E pesta (dhe e fundit): kjo është faza më e gjatë. Unë e kam përjetuar dy herë. Aborti i parë më 3 qershor 2013 dhe aborti i dytë 15 prill 2016. Posa martohesh, me automatizëm nisë pyetja, në fakt URDHËRIMI “Hajde tash (kur) një bebe”. Pas abortit të parë, kishte pak njerëz që nuk e dinin. E pas abortit të dytë, kjo pyetje ka qenë si shpullë – edhe duke e konsideruar si sulm, sulmoja prapa (këtu e kam mësuar që kurrë mos me e pyet dikë që nuk e njoh aq mirë pyetje personale). Sugjerimet për të shkuar tek ky apo ai mjek, në ndërkohë që unë e kisha mjekun më të mirë që dikush mund ta kishte; sugjerimet me pi atë çaj e këtë çaj – se tek Filanja menjëherë ka pas efekt; me shku me u ngjeshë – ende nuk e di se çfarë saktësisht do të thotë ngjeshja, veç e di që refuzoja ende pa u përfunduar fjalia. Edhe kështu kthehesh në “bishë” sepse duhesh me ua tregu vendin të gjithëve. Tërheqja e paraleleve ndërmjet aborteve të mia dhe të dikujt tjetër, përpos që më bënte paranojake (duke e menduar më të keqen) për as edhe një moment të vetëm nuk më bënte të ndjehesha më mirë. Ato ngushëllime me i pas mbajt për vete, më kishin kursyer shumë energji e dhimbje – por, një veçori tjetër e jona kuptova se ishte edhe kjo.

Kthehem tek aborti i dytë:

Për shtatzëninë e parë kishim filluar me “provuar” nga fillimi i vitit 2012. Kontrolla, analiza, konsulta e gjithçka në rregull. Por së paku nuk kisha frikë. Për të dytën, kemi provuar menjëherë pasi që doktori na e dha dritën e gjelbër pas abortit, dhe më në fund ndodhi pas 3 vitesh. Çdo javë të fundit të ciklit i bëja nga 10 teste! Dita më e keqe përherë ishte dita kur cikli fillonte – mundohesha me shpresuar se mbase është ajo gjakderdhja që e përmendin në fillim të shtatzënisë, pastaj e bëja edhe një test në fund të ciklit por jo. Tani kisha të bëja me shumë paranoja, gjatë gjithë kohës e kisha bindjen se kjo punë e paska pas me kaq. Pastaj, shpresa si shpresë, që vdes e fundit, procedura e njëjtë edhe muajin tjetër, e tjetër… e tjetër. Derisa më në fund në shkurt të vitit 2016 dolën dy vija të kuqe. Kësaj radhe që në ultrazërin e parë i dëgjuam të rrahurat e zemrës. E di që kam qajtë nga gëzimi nja 2 orë. Derisa jam kthy në shtëpi e kam dëgjuar audion e ultrazërit, gjatë gjithë kohës. Kështu përsëri procesi i njëjtë.

Pritja e ëmbël përsëri më bëri t’i bëj “gabimet” e njëjta. Jeta ime e re po fillonte. Nuk ishim më dy persona, tashmë ishim FAMILJE – madje termini i fundit për lindje ishte tri ditë para ditëlindjes sime, edhe atë ditë e veçoja më shumë, sepse për herë të parë do ta festoja si NANË!

Me 15 prill 2016, java e dymbëdhjetë e shtatzënisë, me shpresën që do ta kuptojmë gjininë e bebes, sepse do të udhëtonim (e unë natyrisht doja t’i filloja përgatitjes) më kujtohet kam qenë e lumtur deri në qiell, me gojën vesh-më-vesh kam hy në klinikë. Edhe buzëqeshjen ma ka ngri shprehja e fytyrës së doktorit, kur e ka vendosë sondën në bark, edhe saktësisht e kam lexu që diçka nuk është në rregull… në fakt asgjë nuk kishte qenë. Dhjetëra herë (pa e lënë të përgjigjet) e kam pyet “Çka s’është n’rregull?” edhe prapë po i njëjti doktor ma tha fjalinë e njëjtë, që FETUSI NUK ËSHTË ZHVILLU!

E kësaj radhe kam qajtur vetëm në klinikë. E kam marrë makinën edhe kam shkuar në shtëpi. Nuk kam nxjerrë as edhe një pikë loti tjetër. Jam aranzhua me punën dhe kolegët për pushimin mjekësor. Edhe nuk e kam diskutuar me askënd më, as nuk doja që dikush të ma përmendë këtë punë – sepse ishte vetëm e imja, kaq personale; sepse përsëri “më së shumti më dhimbste mua” (nuk kish qenë e vërtetë – të gjithë më kanë mbrojt mua). U mbylla në vete. Prapë isha dhe s’isha shtatzënë. Procesin e “vajtimit” e dija tashmë. Tregimet e aborteve të krejt dynjasë, gjithashtu! Ajo çfarë nuk dija ishte procesi që po më priste me datën 19 prill. Dhimbjet e lindjes nuk i kam provuar (kam lindë me prerje Cezariane) por, dhimbjet e atij aborti… sa herë që dëgjoj për dikë, LUTEM (në kuptimin e plotë të fjalës) mos me e kaluar si unë atë proces. Thua se dhimbja e shpirtit nuk ishte mjaftueshëm, veç edhe ajo torturë… se kjo psikike tash lëshoi rrënjë mirë e mirë.

Tash kur e kujtoj, e shoh veten shumë të papjekur, mënyra se si kisha zgjedhë të merrem me dhimbjen, ose mënyra se si kisha zgjedhë ta injoroj faktin se unë pikërisht atëherë kam pas më së shumti nevojë për njerëz… s’e kuptoj aspak. Vetëm mundohem me e arsyetua me punën e gjendjes emocionale, ku si rrethanë nuk të lejon me qenë racionale.

Një fazë tjetër, e re nga aborti i parë ishte fakti se tani unë vendosa me i “shpallë luftë natyrës”. Nuk kishte shpjegime për abortet e mia. Të gjitha analizat e mundshme ishin në rregull, në kontrolla kam qenë e rregullt që nga adoleshenca, madje edhe aspirin kam marrë në shtatzëninë e dytë, shkaku i koagulimit të gjakut (problem potencial), dhe çdo të mërkurë i kam bë analizat e gjakut. Pra, për mua ishte e qartë, natyra do të më privojë nga kënaqësia më e madhe në jetë; nga t’u bërit NËNË! (vetëm kaq kërkoja nga jeta)

Pas procedurave, analizave e kontrollave të vazhdueshme, doktori na e dha dritën e gjelbër për të filluar me provu edhe një herë… për herë të tretë! Por unë u trishtova. Thash JO! “Nuk e përballoj edhe një herë” edhe kështu e vendosa – s’ka më “provime”. Madje, sa kisha filluar me e mësu veten me idenë që nuk do të ndodhë, ndoshta kur në një moshë të caktuar, kur të jem më mirë edhe nga ana financiare dhe të kem më shumë kohë për familje (sepse e ndava mendjen me iu përkushtua karrierës plotësisht) me e adoptua një fëmijë – sepse tek e fundit, mbajtja e bebit në bark nuk të bën më shumë nënë.

Këtë nuk e mbaja në vete, ashtu siç edhe thash iu ktheva kundër natyrës… dhe pasi që ndodhi shtatzënia (në shtator të atij viti) e kuptova që kjo ka qenë forma që ma ka zgjedhë nën-dija, duke shpresua se nëse nuk e kërkoj aq me ngulm këtë gjë, atëherë ndodhë e kundërta.

Nëse e mendoj mirë e mirë, kjo puna e mos-tregimit të të qenit shtatzënë nuk kishte të bëjë me besëtytni, por me faktin se sa më shumë njerëz e dinë për shtatzëni, dyfishi i tyre do ta dinë në rast aborti… pra sa më pak që dihet, aq më pak njerëz të “traumatizojnë” me teori, këshilla e ide të kota. Sinqerisht, në tërë atë dhimbje, ku bota jote shuhet, edhe sheh vetëm zi, nuk ke nevojë as për fjalë të mirë, as për fjalë të keqe. Janë njerëz të caktuar (edhe të paktë) ata të cilët vërtetë bashkë ndjejnë me ty – e këta njerëz të japin kohë të shërohesh vetë dhe të bësh paqe me veten, e më pas të mbështesin pa-kushte. Pak më të shumtë janë ata që iu dhimbsesh, e shumë më të shumtë ata të cilët vetëm sa për muhabet në rrugë pranë dyqanit, ta “bëjnë dert” atë punë.

Ky rrëfim i imi nuk ka të bëjë vetëm me mua më. Unë do të gënjeja nëse do të thosha se e kam harru atë pjesë të jetës me ardhjen e Evës. E vërtetë që Eva ma ka ndryshua mendësinë, m’i ka shembë krejt teoritë idioteske që ia kam mbjellë vetes në kokë, se më nuk do të lind e çka jo tjetër, por ende diku në mua është pyetja “Çfarë nëse…”.

Të gjitha juve që e keni kaluar këtë proces, ju që jeni duke e kaluar një proces të këtillë nuk është faji i juaj. Për dy abortet e mia ende nuk dihet se çfarë ka ndodhë, pse kanë ndodhë. Por, ajo që e di sigurt është se kjo punë nuk varet nga ne.

P.S. Po besoj gjithashtu se, ky rrëfim i imi e tregon më së miri obsesionin tim për Evën. Nëpër botë bebet e: pas aborteve, pas vdekjes (para apo pas lindjes), pas pritjeve të gjata quhen BEBE YLBER – në kuptimin metaforik, që pas shiut del ylberi me diell. Për ne Eva është dhurata më e bukur; diell, ylber, hanë, yll, gjithësi… /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë