Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi u ka bërë thirrje grave shtatzëna që të vaksinohen kundër COVID-19.
Sipas MSH, vaksinat krijojnë imunitet si te gratë shtatzëna ashtu edhe tek nënat gji-dhënëse.
“Studimet kanë dëshmuar se nënat e vaksinuara kanë antitrupa në qumështin e gjirit, përmes të cilit i sigurojnë mbrojtje edhe foshnjës. Për shkak të rritjes së numrit të varianteve të virusit (SARS COV-2) dhe rëndësisë së mbrojtjes së grave shtatzëna dhe nënave gji-dhënëse, vaksinimi i tyre ka rëndësi në parandalimin e infektimit, sëmundjes së rëndë, shtrimit në spital dhe lindjes së parakohshme”, është thënë nga MSH.