Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Si ta mbrojmë sistemin imunitar gjatë stinës së dimrit dhe cilat janë ushqimet që e përforcojnë atë – tregon Dr.Eurta Dida

Shkruar nga : Albina Selmanaj

Gjatë kësaj periudhe të ftohtë të dimrit i gjithë trupi ynë ka nevojë për kujdes të shtuar, kjo për shkak se muajt e kësaj stine shoqërohen me shumë viruse të cilat mund ta dobësojnë sistemin tonë imunitar. Sistemi imunitar ka një rol jetësor, ai e mbron trupin nga substancat e dëmshme, mikrobet dhe ndryshimet qelizore që mund të shkaktojnë sëmundje.

Tani më shumë se kurrë imunitetit tonë duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë, këtu duke marrë parasysh kërcënimet e kësaj periudhe nga koronaviruset. Ka shumë gjëra që ndikojnë në përforcimin e sistemit imunitar, në të cilat bënë pjesë edhe mënyra se si ushqehemi.

Dr.Eurta Dida, ka sugjeruar disa ushqime që duhet t’i hamë për një sistem të shëndetshëm dhe të fortë gjatë kësaj periudhe të dimrit, te të cilat më së shumti bëjnë pjesë pemët dhe perimet.

Janë disa ushqime që duhet ti hamë gjatë stinës së dimrit të cilat mund ta mbajnë sistemin tonë të fortë. Duke nisur nga Frutat Agrume si grejpfrut, portokalli, klementina, mandarina, limon, perime si brokoli, speca të ndryshme, pastaj karrota, hudhra, xhenxhefil, spinaq, kosi, bajamet, farat e  lulediellit, Çaj jeshil dhe produktet e detit”, tregoi Dida për familjajonë.

Mirëpo sipas doktoreshës janë edhe disa ushqime të cilave duhet t’i ikim gjatë periudhës së dimrit, kjo sepse moskujdesi ynë nga to na dërgon deri te problemet me frymëmarrje.

Ushqimet që duhen evituar janë: ushqimet me shumë sheqer, ato të fërguarat, Kafetë, pijet energjike, pijet sportive dhe pijet e tjera të këtij lloji pasi që përmbajnë të gjitha kafeinë, një diuretik (një përbërës që rrit largimin e urinës). Kjo shkakton dehidratim, i cili rrit mukozën dhe shton tharjen në fyt, duke shkaktuar bllokime dhe vështirësi në frymëmarrje”, tha Doktoresha.

Virusët janë ata të cilët nuk i mungojnë kësaj stine, sistemi imunitar ka nevojë për mbrojtje të cilën sipas Dr. Dida mund ta marrë nga dietat e shëndetshme dhe aktivitet fizike.

Duke marrë parasysh që jemi në një periudhë të viruseve, sistemi  ynë ka nevojë për  një dietë të shëndetshme; një dietë e shëndetshme është çelësi për një sistem të fortë imunitar. Po ashtu edhe aktiviteti fizik i cili nuk është vetëm për të ndërtuar muskuj dhe për të ndihmuar vetën të largoni stresin – ai është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e të qenit të shëndetshëm dhe për të mbështetur një sistem të shëndetshëm imunitar. Duke shtuar edhe Hidratimin; Uji luan shumë role të rëndësishme në trupin tuaj, duke përfshirë mbështetjen e sistemit tuaj imunitar. Kujdes kushtoni edhe gjumoit dhe minimizoni stresin”, sugjeroi ajo.

Nuk janë vetëm të rriturit ata që duhet t’i kushtojnë kujdes sistemit të tyre imunitar, ata më të ndjeshmit gjatë stinës së dimrit janë fëmijët, për imunitetin e të cilëve Doktoresha Dida sugjeroi ushqimet që kanë përmbajtje të vitaminës C dhe pirjen e ujit.

Në këto ditë kur moti është i ftohtë, përgatitja e ushqimeve dhe pijeve të nxehta do të lehtësojë konsumimin e tyre dhe do të rrisë oreksin. Duhet patjetër të përfshijmë supën në menytë tona të vakteve. Është e rëndësishme që fëmijët të pinë të paktën 2 gota qumësht gjatë periudhës së zhvillimit të tyre.  Gabimi më i zakonshëm që bëjmë të gjithë në dimër është neglizhimi për të pirë ujë. Kjo është gjithashtu e zakonshme tek fëmijët. Uji është ajo që na nevojitet më shumë në mbrojtje nga infeksionet dhe gjatë periudhës së rikuperimit”, tha Dida.

Ushqimi i duhur është baza e një sistemi të shëndetshëm dhe të fortë imunitar, prej të cilit ju mund ta mbroni vetën nga gripi, ftohjet dhe sëmundjet e tjera.

Youtube

Arkiva

Kategoritë