Banorët e rrugës “Tomori” të lagjes Kolovica në kryeqytet, për më shumë se 24 orë thonë se janë pa energji elektrike.
Njëri nga ta, Sadik Latifi, tregoi për Klan Kosova se mungesa e rrymës po u shkakton shumë vështirësi.
“Vështirësi kemi shumë se nuk po dimë si me u nxeh, kemi nxemje qendrore, ajo nuk bënë pa rrymë, nuk qarkullon uji i ngrohtë, qe 27-28 orë nuk kemi rrymë, edhe vetëm kjo pjesa jonë këtu, pjesët përreth kanë krejt rrymë, siç e keni pa kah keni ardhë.”
Tutje ai tregoi se dje në orën 15 është ndalur rryma dhe deri në kohën kur ekipi i Klanit ishte prezent nuk kishte ardhur ende.
Ndryshe, për shkak të krizës energjetike, KOSTT ka paralajmëruar konsumatorët se do të ketë kufizime të energjisë elektrike në gjithë vendin.
Ndërsa drejtori menaxhues i KEK-ut, Nagip Krasniqi, tha sot se nga data 20 janar 2022, mund të kthehet në funksion blloku “B2” i Kosovës B, për prodhimin e energjisë elektrike.