Izraeli do të fillojë një dozë të katërt të vaksinës kundër koronavirusit me efekt të menjëhershëm. Rekomandimi erdhi nga grupi i ekspertëve të vendit, sipas të cilëve, doza shtesë do t’u jepet personave mbi 60 vjeç, punonjësve mjekësorë dhe njerëzve me një sistem imunitar të dobët njoftoi zyra e kryeministrit.
“Lajm i mrekullueshëm, mos humbisni kohë, shkoni vaksinohuni!”, tha kryeministri izraelit, Naftali Bennett, në një deklaratë.
Për ata që do të marrin dozën e katërt, kushti është që të kenë kaluar të paktën katër muaj nga doza e tyre e tretë.
“Shteti i Izraelit po vazhdon të qëndrojë në ballë të përpjekjeve globale për t’u marrë me pandeminë. Qytetarët e Izraelit ishin të parët në botë që morën dozën e tretë të vaksinës COVID-19 dhe ne po vazhdojmë të jemi pionierë edhe me dozën e katërt”, tha Bennett.
Në një njoftim të lidhur me situatën e vaksinimit në vend, hendeku i rekomanduar midis dozës së dytë dhe të tretë po shkurtohet gjithashtu nga pesë muaj në tre muaj.
Një nga anëtarët e panelit të ekspertëve i tha radios izraelite të martën në mbrëmje, se vendimi për të marrë një dozë të katërt nuk ka qenë i lehtë.
“Ne nuk kemi ende të dhëna për nivelin e imunitetit, siç kishim kur vendosëm për dozën e tretë, por nga ana tjetër, ka të dhëna vërtet të frikshme atje në pjesën tjetër të botës. Në një situatë si kjo, nëse nuk veprojmë menjëherë, humbasim trenin”, tha profesoresha Galia Rahav.
Komiteti ministror i qeverisë mbi pandeminë vendosi të martën një sërë masash të reja në vazhdën e valës së re të infeksioneve të sjellë nga varianti Omicron.
Nxënësit e shkollave që jetojnë në zona me nivel të ulët të vaksininimi te moshat nën 18 vjeç mund të kthehen në shkollimin online që në fillim të kësaj jave.
Në zonat me numër të lartë të rasteve Covid-19, të njohura si zonat e kuqe ose portokalli, vetëm klasat në të cilat të paktën 70% e fëmijëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës do të mësohen në shkollë. Klasat me shkallë më të ulët të vaksinimit do të mësohen online. Politika e re hyn në fuqi të menjëhershme për fëmijët e moshës 13 vjeç e lart; për fëmijët më të vegjël, do të hyjë në fuqi pas tre javësh.
Gjithashtu, tani do të jetë e detyrueshme të tregohet “Green Pass” për të hyrë ose për të punuar në një dyqan më të madh se 100 metra katrorë.
Ndërsa vendet e punës në sektorin publik do të përgjysmojnë stafin që punon në vend. Masa do të hyjë në fuqi të dielën dhe do të jetë në fuqi për të paktën një muaj.
Pak ditë më parë, kryeministri Bennett u kërkoi bizneseve të sektorit privat që të inkurajojnë stafin të punojnë nga shtëpia sa më shumë që të jetë e mundur.