Më shumë se rreth 1kg baktere popullojnë zorrët tona, e barazvlefshme kjo me peshën e gjithë trurit si dhe në zorrë ka më tepër organizma se sa ka qeliza në trupin e njeriut. Larmishmëria e gjeneve në bakteriet e zorrëve tona është rreth 100 herë më e madhe se sasia e gjenomës së njeriut. Prandaj nuk është e çuditshme që një sërë gjëndjesh psikologjike në trupin dhe trurin tonë janë ngushtësisht të lidhura me gjëndjen e mikrobiomës së zorrëve.
Aksi zorrë-tru përfshin 3 sisteme kryesore të trupit të njeriut: sistemin nervor qëndror, sistemin nervor enterik dhe sistemin tretës. Ky aks ndikon në lëvizshmërinë e zorrëve, në çlirimin e hormoneve, prodhimin e acidit dhe bikarbonateve si dhe mukusit. Aksi zorrë-tru-mikrobiota është një sistem komunikimi dydrejtimësh, i cili lejon mikrobet e zorrëve që të komunikojnë më trurin dhe trurin që të dërgojë sinjale në zorrë.
Studimet e fundit kanë drejtuar vëmëndjen te një rrugë e veçantë e nervit Vag dhe mekanizmit të komunikimit ndërmjet zorrëve dhe trurit si faktorë që ndikojnë në shprehjen e depresionit. Në një rishikim të literaturës, në 2018-ën, është parë se Ka një lidhje të fortë ndërmjet simptomave mendore që lidhen me stresin (psh. Ankthi) dhe sindromës së zorrës së irrituar (SZI). Kjo lidhje ka shërbyer si nxitje për të studiuar rëndësinë e aksit zorrë-tru. Më shumë 50% e pacientëve me SZI kanë çrregullime bashkëshoqëruese të depresionit dhe ankthit.
Këto gjetje na tregojnë se aksi zorrë-tru mund të na mësojë më shumë për të parandaluar dhe trajtuar depresionin apo çrregullime të tjera neuropsikiatrike.
Evolucioni i Mikrobiomës së zorrëve
Zorrët janë sterile para lindjes; përballja e parë me bakteret ndodh kur i porsalinduri kalon përmes kanalit të lindjes, ku konolizohet nëpërmjet gojës, lëkurës, konjuktivave dhe traktit gastrointestinal. Një llojshmëri bakteresh mikrobiotike përftohen nga transmetimi nga nëna, duke përfshirë fillimisht Bifidobacterium, Lactobacillus dhe Prevotella, të cilët merren në sajë të lindjes vaginale, si dhe Staphylococcus e Corynebacterium nëpërmjet lindjes çezariane.
Mikrobioma e secilit individ është unike. Në vitin 2020, në një koment të botuar në revistën Psikiatrike Kanadeze, D.SHk Jane Foster shkroi, “Mikrobioma e një individi është tërësisht e tija dhe kolonizimi i të gjitha sipërfaqeve të trupit tonë, që fillon që në lindje vazhdon përgjatë gjithë jetës. Larmishmëria, përbërja dhe funksioni i mikrobiomës së një individi ndikohet që në jetën e hershme, në varësi të: mënyrës së lindjes, qumështit të gjirit apo qumështit formulë, ekspozimi ndaj antibiotikë ose barnave jo antibiotikë, gjinisë, dietës ushqimore, stresit, kushteve shtëpiake dhe gjeografisë. Vetë përbërja jonë gjenetike ndikon në mikrobiomë, si dhe ndërveprimi gjen-mjedis përgjatë jetës ndikon në ndërveprimin mikrobiomë-mikpritës, i cili ndikon më pas ka ndikim në proçeset psikologjike të mikpritësit (individit).”
Roli i mikrobiomës së zorrëve në Depresion
Depresioni lidhet me një çekuilibër të aksit hipotalamik-pituitar-adrenal (HPA), ku aktivizimi nga citokinat (interleukina 1 dhe 6) nxit çlirimin e kortizolit, një hormon i fuqishëm i stresit. Studime të ndryshme vëshguese tregojnë një lidhje dydrejtimshe ndërmjet depresionit dhe mikrobiomës së zorrëve, e cila lidhet me çrregullimin e aksit hipotalamik-pituitar-adrenal. Përkundrazi, përmirësimi i simptomave të depresionit lidhet me rikthimin e qëndrueshmërisë së veprimtarisë së këtij aksi.
Homeostaza e zorrëve, e përcaktuar nga një popullatë tërësisht e veçantë bakteriale, mundet rrjedhimisht të jetë e rëndësishme në ruajtjen e qëndrueshmërisë së humorit.
Sipas një tjetër rishikimi të literaturës në vitin 2017 mbi ndikimin e sistemit të ushqyerjes në çrregullimet psikiatrike, e shkruar nga D.Shk. Brittany L. Mason. “Ndryshimet në popullatën bakteriale, të cilat e largojnë popullatën nga homeostaza çojnë në disbiozë dhe kjo mund të shkaktojë stres të traktit gastrointestinal; megjithatë, ndryshime më të lehta të popullatës bakteriale me shumë gjasa mund të ndikojnë në sistem, pa shkaktuar simptoma madhore të çrregullimeve gastrointestinale”, u shpreh ajo. Dr. Mason e vuri theksin te rritja e përgjigjes imunitare e ndërmjetësuar nga imunoglobulinave IgA dhe IgM ndaj lipopolisakarideve bakteriale në gjakun e pacientëve me depression, si “mbështetëse e hipotezës që përshkueshmëria e rritur intestinale është një factor në çrregullimin depresiv”.
Përmirësimi i dietës për të ndikuar në Depresion
Fatkeqësisht, ne nuk e dimë përfundimisht se cila është struktura normale e mikrobiotës, por ajo çka biem të gjithë dakort është se sa më shumë larmishmëri, aq më mirë është.
Megjithatë, arritja e larmishmërisë së duhur të mikrobiotës është ende mister. Foshnjet, të cilat ushqehen me gji kanë më pak larmishmëri, por kanë një përbërje më të qëndrueshme të mikroflorës se sa foshnjet e ushqyer me formulë. Me kalimin e kohës, me njohjen e ushqimeve të ngurta, larmishmëria e mikrobiotës së zorrëve rritet përgjatë gjithë jetës, zakonet dietike të ushqyerjes ndikojnë fuqishëm në përbërjen e mikrobiomës së zorrëve, ashtu sic ndikojnë edhe streset fizike, psikologjike dhe ato mjedisore.
Të dhëna të shumta po shtohen, të cilat tregojnë se ndërhyrjet në mikrobiotën e zorrëve na siguron ndërhyrje risi në trajtimin e depresionit dhe ankthit. Probiotikët, që përmbajnë lloje të Bifidobakterieve kanë treguar se ulin nivelin e përgjigjes ndaj kortizolit, i cili është përfshirë në ankth dhe mendohet se mund të pakësoje edhe simptomat e depresionit.
Dieta mesdhetare njihet për përfitime për çrregullimet e humorit. Kjo diete përshin ushqimet e fermentuara të cilat kanë një ndikim pozitiv në shëndetin mendor në ata që vuajnë nga depresioni.
Ushtrimet fizike kanë gjithashtu një veprim antidepresiv dhe përmirësojnë dukshëm larmishmërinë e mikrobiotës. Këto ndyrshime këshillohen në të gjithë pacientët me depresion.