Të premten është sulmuar një mjek në fshatin Strellc i Epërm të Deçanit.
Mjeku ka marrë tretman mjekësor, derisa personi që dyshohet se ka kryer sulmin është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Oda e Mjekëve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për këtë sulm ndaj mjekut në vendin e tij të punës.
Oda e Mjekëve thotë se gjatë këtij viti janë shënuar dhjetëra sulme fizike ndaj mjekëve në vendet e tyre të punës.
“Shqetësues mbetet fakti që institucionet përgjegjëse, sidomos ato menaxheriale dhe ato të ndjekjes penale, me pasivitetin e tyre janë duke amnistuar këtë fenomen që tanimë janë bërë fenomen ditor”, thuhet në komunikatë.
Oda e Mjekëve shpreh shqetësim se deri më tani nuk janë marrë veprime konkrete nga institucionet për të garantuar sigurinë e mjekëve në vendin e punës.
“Këto raste duhet të trajtohen me prioritet”, thuhet ndër të tjera në reagimin e lëshuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.