Të mërkurën e 10 nëntorit ka filluar ekzekutimi i pagesave për mbi dy mijë gra lehona të cilat kanë përfituar pas aplikimit gjatë muajit tetor të vitit 2021, nga gjithsejtë mbi katër mijë përfituese.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, pjesa e dytë e pagesave do të ekzekutohet të enjten e 11 nëntorit.
“Është ekzekutuar pagesa për dy mijë e 230 lehona përfituese që kanë aplikuar gjatë muajit tetor. Ndërsa nesër do të ekzekutohet pagesa e dytë edhe për lehonat që kanë aplikuar më herët, dhe tashmë janë në sistem. Gjithsejtë, mbi katër mijë e 400 përfituese”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, njëkohësisht, është ekzekutuar edhe pagesa retroaktive për shtesat për fëmijë, “për 809 përfituese që muajin e kaluar i kishin llogaritë bankare jo-valide”.
“Këtë muaj kemi pasur fluks të madh aplikimesh dhe na ka marrë më shumë kohë validimi e procesimi i pagesave – mbi 90 mijë pagesa të procesuara gjithsejtë, pa llogaritur masat tjera të pakos”, vijon njoftimi.
Ndërkaq, shtatë milionë euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës për lehonat dhe shtesat e fëmijëve më 25 gusht të këtij viti.
Po ashtu, vendimi parasheh përfshirjen edhe të lehonave të punësuara krahas atyre të papuna për mbështetje financiare që do të ofrohet nga Qeveria, me qëllim të fuqizimit të mëtutjeshëm të grave në tregun e punës.
Këto mjete janë siguruar nga emetimi i “Bonove të Diasporës”, instrument financiar që e kanalizon kapitalin e diasporës drejt investimit për ndërtimi dhe zhvillimi të ekonomisë së vendit. /Albanianpost.com