Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se duke filluar nga nesër qytetarët mund të vaksinohen në cilëndo qendër të vaksinimit në Kosovë, pa termin të caktuar paraprakisht, raporton Gazeta Express.
Sipas kësaj ministrie, qytetarët mund të vaksinohen në secilën qendër të vaksinimit kudo në Kosovë, pavarësisht se cilës komunë i takojnë me vendbanim.
“Ministria e Shëndetësisë vlerëson se tashmë një numër i konsideruar i qytetarëve të grup-moshave të ndryshme janë vaksinuar kundër COVID-19 dhe kjo e bën edhe më të lehtë menaxhimin e procesit të vaksinimit në çdo qendër, ku përmes ekipeve të vaksinimit në dispozicion, ka kapacitete për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve për vaksinim”, thuhet në një njoftim nga MSH.
Gjithashtu, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se këtyre ditëve është duke u bërë vaksinimi edhe përmes ekipeve mobile, për çka gjithashtu nuk duhet caktuar termin paraprakisht.
MSh u bën thirrje qytetarëve që ta kompletojnë procesin e vaksinimit duke i marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.
“Në Kosovë vaksinimi kundër COVID-19 është i lejuar për të gjithë qytetarët nga mosha 12 vjeçe e lart. Në këtë kohë kur në shtete të ndryshme të Evropës, por edhe në rajon po regjistrohen shifra shumë të larta të infektimeve me COVID-19 me dominim të variantit Delta, vaksinimi i popullatës mbetet rruga më e sigurt për ta mbajtur situatën e qetë epidemiologjike në vendin tonë dhe për të arritur imunitetin kolektiv”, është thënë nga MSH.