Përsëri Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka bërë të ditur se do të ketë protestë me qëllim të sensibilizimit të opinionit dhe udhëheqjes vendore lidhur me gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve shëndetësorë.
Protesta është paralajmëruar të mbahet me 8 nëntor para qeverisë së Kosovës, me anëtarët e Këshillit Drejtues.
“Kërkesa jonë madhore është rregullimi i gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari i vitit 2022”, thuhet në njoftimin për media.
Këtë FSSHK e ka bërë të ditur në mbledhjen e Kryesisë.
“Kërkojmë nga Qeveria dhe nga gjithë popullata që të kuptojnë qartë kërkesën tonë e cila nuk është aspak politike por kërkesë e cila ndikon drejtëpërsëdrejti në përmirësimin e statutsit dhe mirëqenien e të punësuarve në sektorin publik e të punëtorëve shëndetësor në veçanti”.
Më 7 tetor, Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, ka paralajmëruar protestë më masive pas zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Më 2 shtator, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtesat prej 10 për qind të pagës bruto për stafin shëndetësor, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, ka dalë me gjashtë kërkesa.
Ndërsa, më 17 shtator, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë ka mbajtur protestë para Ministrisë së Shëndetësisë.
FSSHK-ja ka kërkuar që shtesat të rishqyrtohen dhe të merret vendim për rritjen e tyre e që ajo të mos jetë më e ulët se 300 euro. Për këtë ka paralajmëruar edhe padi ndaj Qeverisë për shkelje të ligjit kundër pandemisë.
Mirëpo, pas mos plotësimit të këtyre kërkesave kjo Federatë ka marrë iniciativë për protestë.