Shqipëria ka nisur me vaksinimin e dozës së tretë antiCOVID-19 të mjekëve dhe infermierëve, si dhe qytetarëve mbi 18 dhe 60-vjeç me problematika shëndetësore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka ndjekur sot nga afër procesin e vaksinimit të mjekëve të parë me dozën e tretë.
“Kemi filluar menjëherë me grupet që janë më të rrezikuara, që janë mjekët, infermierët dhe sot në të gjithë qendrat shëndetësore aty ku mjekët, infermierët punojnë, por edhe gjithashtu në strukturat tona të vaksinimit të përqendruar tashmë ka filluar vaksinimi me dozën e tretë booster për personelin mjekësor. Nga ana tjetër paralelisht ka filluar vaksinimi me dozën booster për të gjithë ata qytetarë të grup-moshës +60-vjeç dhe sigurisht për +18-vjeç me problematika shëndetësore”, tha Manastirliu.
Duke ritheksuar se është ulur grup-mosha për vaksinim në 16-vjeç dhe për fëmijët +12-vjeç me problematika të sistemit imunitar, Manastirliu tha se do të vijojë furnizimi me vaksina për të garantuar vaksinimin e qytetarë gjatë këtij viti, por edhe vitin tjetër.
“Ne do të vijojmë furnizimin me vaksina sikur deri më sot. Po vijojmë të negociojmë me kompaninë Pfizer dhe kompanitë të cilat janë në marrëveshje me Covax, në mënyrë që të vijojmë të sigurojmë vaksinat për të gjithë qytetarët edhe për raundin e parë dhe të dytë, pra vaksinën e dozës së parë dhe të dytë, por gjithashtu edhe për sigurimin e vaksinave të dozës së tretë, atyre booster përgjatë gjithë këtij viti dhe vitin tjetër”, tha Manastirliu.
Aplikimi i dozës së tretë përforcuese do të bëhet për stafet mjekësore, personat në institucione të kujdesit afatgjatë, ata mbi 60-vjeç me sëmundje kronike. Doza përforcuese duhet të ofrohet jo më parë se 6 muaj pas përfundimit të vaksinimit me dozën e dytë.
Dozë të tretë do të marrin edhe personat me frenim të imunitetit, sipas rekomandimit të mjekut të familjes. Sipas udhëzimit të ISHP, vaksinimi ka nisur edhe për moshën 12-15 vjeç me sëmundje kronike dhe frenim të imunitetit, si dhe grup-moshën 16-18 vjeç./Tch