Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Ndalja dhe trajtimi urgjent i gjakderdhjes në kushte paraspitalore

Prof.ass.dr. Isuf Bajrami
Specialist i mjekësisë urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente-Prishtinë

Gjakderdhja shfaqet me ndërprerjen e qarkullimit për shkak të veprimit të forcës topitëse ose penetruese.

Çrregullimet e gjakderdhjes duhet të konstatohen gjatë vlerësimit primar kur në rast të gjakderdhjes së pakontrolluar zbatohet veprimi i shtypjes direkte.

Gjakderdhjet e mëdha mund të sjellin deri të shoku hipovolemik. Shenjat e shokut përfshijnë ndryshimin e statusit mental, takikardinë, lëkurën e ftohtë të djersitur dhe hipotensionin.

Nëse urgjent nuk trajtohet pacienti me gjakderdhje ajo mund të shpie deri te gjakderdhja dhe vdekja.

Vlerësimi primar

Vërtetohu që rrethina është e sigurt para se të fillojnë veprimet e kontrollit të gjakderdhjes. Te këto lloje të thirrjeve ekspozimi ndaj sasive të mëdha të gjakut dhe sekreteve trupore është i madh, kështu që patjetër duhet zbatuar masat e mbrojtjes personale.

Me rëndësi është të theksohet se para se të fillojnë veprimet e kontrollit të gjakderdhjeve, rrugët e frymëmarrjes dhe frymëmarrja duhet të trajtohen siç është theksuar të qasja ABCDE.

Njëherë kur gjakderdhja është nën kontroll ose është ndalur, kryhet ekzaminimi trupor dhe vlerësohen shenjat vitale.

Me rastin e vlerësimit primar duhet pasur parasysh se hipotensioni është shenjë shumë e vonshme e shfaqjes së shokut nga gjakderdhja.

Gjakderdhja e pakontrolluar mund të jetë e rrezikshme për jetë, prandaj duhet filluar të trajtohet sapo të sigurohet rruga respiratore dhe kjo pa shtyrje.

Veprimet: kontrolli/ndalja e gjakderdhjes së jashtme dhe tretmani i shokut

Gjakderdhjet të vogla spontanisht mund të ndalen, përjashtim te pacientët me hemofili dhe sëmundje tjera të koagulimit të gjakut. Te këto duhet të jemi të kujdesshëm që koagulimi eventual mos të largohet dhe përsëri të mos shkaktojë gjakderdhje.

Kujdesi nevojitët edhe të pacientët me terapi trombolitike.

Gjakderdhjet e mëdha duhet aktivisht të ndalen pasi që mekanizmi i hemostazës së organizmit në këtë rast është i pamjaftueshëm ose joefikas.

Mekanizmi i hemostazës në organizmin e njeriut ka rol në mbajtjen e gjakut në gjendjen aktuale dhe me rastin e lëndimit të enëve të gjakut të ndërpresë gjakderdhjen në vendin e dëmtimit.

1. Zbato masat e mbrojtjes personale?

Shpjegim: Dorëzat dhe mbrojtja e syve janë kërkesa minimale nëse ka gjak ose sekrecione, me qëllim të shmangies së ekspozimit ndaj sëmundjeve ngjitëse.

2. Nëse është e mundur zbulo plagën e cila gjakderdh.

Shpjegim: Është më lehtë të trajtohet plaga e cila shihet.

Mbulimi i plagës me gjakderdhje

3. Shtyp në plagë drejtpërdrejtë me dorëzën e vendosur mbi gazën sterile ose kompresën.

4. Gazën largojeni nga paketimi steril menjëherë para përdorimit.
Mbajeni me majat e gishtërinjve (gishtin e madh dhe tregues) në skaje.
Mundet pjesërisht të çmbështillet që të rritet sipërfaqja.
Ana e cila do të ngjitët për plage nuk guxon të preket.

Shpjegim: Gaza është e pëlhurës së pambuktë me disa shtresa.
Mbron plagën nga infeksionet dhe njëkohësisht absorbon gjakun dhe sekrecionet tjera që rrjedhin nga indi i lënduar.
Gjakderdhjen duhet vendosur nën kontroll/të ndalet sa më shpejtë që të parandalohet humbja e mëtejshme gjakut.

5. Nëse gjakderdhja vazhdon, vendos gazë tjetër sterile dhe bëni presion direkt në plagë mbi gazë.

Shpjegim: Njëherë kur vendoset gaza mbi plagë, më nuk guxon të largohet.
Largimi i gazës mund të ndërpresë procesin e koagulimit të gjakut dhe të kthej atë në fillim-normalisht ky proces zgjatë rreth 10 minuta.

6. Në disa pjesë të trupit si janë skajet e gjymtyrëve, kur gjakderdhja nuk është ndalur me veprimet paraprake, mundet që përmbi gazë të vendosët rrotull fasha paralel përgjatë boshtit të ekstremitetit të forcohet me fashë (fasha kompresive).

7. Përforco gazën sterile me fashë ose shanin trekëndëshe.

Shpjegim: Pa e mbështjellë gazën me fashë, ajo do të bie dhe mund të largoj koagulin i cili është formuar në vendin e lëndimit.

8. Pas vendosjes së fashës kompresive, vlerësoni pulsin dhe senzibilitetin (nën vendin e lëndimit) me qëllim të konstatimit se fasha nuk është shtrënguar së tepërmi.

Fashimi i shuplakës

Shpjegim: Qëllimi është të kontrollohet / të ndalet gjakderdhja e jo të lidhet regjioni i plagës.

9.  Nëse nuk ka shenja të lëndimeve të eshtrave dhe muskujve, ekstremiteti ngritët mbi nivelin e zemrës.

Shpjegim: Ngritja e ekstremitetit zvogëlon perfuzionin e gjakut në ekstremitet dhe në këtë mënyrë ndihmon në ndaljen e gjakderdhjes.

10. Nëse me këtë veprim nuk ka ardhur deri të kontrolli, ndaljen e gjakderdhjes duhet kërkuar me gjetjen e pulsit në arterien proksimale nga vendi i lëndimit dhe me forcë të shtypet vendi me gishtërinj si në foton e mëposhtme.

Ndalja e gjakderdhjes me kompresion digital

Shpjegim: Presioni në puls proksimalisht prej lëndimit do të ndërpresë qarkullimin e gjakut kah regjioni i lënduar dhe në këtë mënyrë do të zvogëloj gjakderdhjen nga plaga.
Presioni në arteriet e mëdha (brachiale, femorale, temporale) do të zbatohet nëse veprimet paraprake nuk kanë ndalur gjakderdhjet.
Me këtë rast duhet njohur pikat në të cilat arteriet e mëdha shtrihen afër kockës.
Shtypja mund të zbatohet edhe në ekstremitetet e sipërme dhe të poshtme me qëllim të zvogëlimit të furnizimit me gjak, njëkohësisht duke bërë presion në plagë.

11. Nëse bëhet fjalë për gjakderdhje të shfaqur nga lëndimi i ekstremitetit të njëjtin e imobilizoni.

Shpjegim: Imobilizimi i ekstremiteteve të lënduara është një prej metodave më të mira për ndaljen e gjakderdhjeve si dhe parandalimin për lëndim të mëtejshëm të enëve të gjakut nga pjesët e kockave të thyera.
Ai njëkohësisht prevenon që aktiviteti i muskujve të rritë qarkullimin e gjakut nëpër ekstremitetin e lënduar.
Pas imobilizimit duhet të kontrollohet prezenca e pulsit dhe ndjeshmërisë në pjesën distale nga lëndimi.

12. Te gjakderdhjet e mëdha të cilat nuk mund të ndalen me asnjë veprim, te amputimi i ekstremitetit ose nga ndonjë lëndim i cili në mënyrë të paevitueshme do të sjell amputimin, ekstremiteti lidhet.
Me këtë rast përdorën trakat e fabrikuara ose trakat e gjëra rreth 5 cm (mund të shërbej shamia trekëndëshe) e cila vendosët menjëherë mbi plagën që gjakderdhë dhe shtrëngohet deri në momentin kur gjakderdhja ndalet.
Detyrimisht duhet të shënohet koha e vendosjes së lidhëses.

Shpjegim: Lidhësja plotësisht ndërprenë qarkullimin e gjakut në ekstremitet dhe vendosët vetëm në raste ekstreme (amputimi ose amputimi i pjesërishëm) kur asnjëra prej metodave të përparshme, nuk ka ndalur gjakderdhjen e cila rrezikon jetën.
Duhet pasur parasysh gjithnjë se lidhësja vendosët vetëm kur gjakderdhja nuk ka qenë e mundur të ndalet me metodat tjera dhe drejtpërdrejtë rrezikon jetën e të lënduarit.

13. Vendos pacientin në pozitë të përshtatshme dhe nisu për transport!

14. Nëse kemi të pranishme shenjat e shokut ose dyshime për shok, pacientit duhet t’i sigurohet oksigjen me koncentrim maksimal dhe duhet të ngrohur.

Shpjegim: Disa gjakderdhje do të jenë aq të bollshme ose masive sa ato shkaktojnë hipotension dhe shenja të shokut. Prandaj oksigjeni dhe transporti në këto raste janë vendimtare për reanimacionin e pacientit.

15. Dokumentacioni

Shpjegim: Me rëndësi vendimtare është të evidentohen të gjeturat ose rezultatet, faktet dhe ndodhitë të cilat kanë paraprirë në vend ngjarje.

Veçoritë te të moshuarit

Pacientët e moshës së vjetër në anamnezën e tyre më shpesh kanë probleme kardiake, mund të ndiejnë vështirësi në frymëmarrje kur janë në pozicion në shpinë.
Pavarësisht hipoperfuzionit për shkak të gjakderdhjes së madhe, pacienti duhet të vendoset sipas pozicionit të Fowlerit (pozita gjysmë-ulur me ngritje të kokës prej 45⁰ dhe me lakim të lehtë të gjunjëve).

Vlerësimi sekondar ose i përsëritur

▪ Përsërit vlerësimin e pacientit stabil çdo 15 minuta, ndërsa te ai jostabil çdo 5 minuta duke përfshirë shenjat vitale dhe ekzaminimin fizikal.
▪ Para vendosjes së fashave duhet kontrolluar se a janë larguar të gjitha gjendjet të cilat drejt për së drejti rrezikojnë jetën e pacientit.
▪ Është pa përgjegjësi të fashohet me kujdes plaga e vogël nëse pacienti nuk ka frymëmarrje ose ka lëndime tjera shumë më serioze.
▪ Nëse gjakderdhja depërton nëpër fasha, vendos edhe një gazë.
▪ Mos i largo gazat e vendosura, pasi që mund të largohet koaguli i cili ka filluar të mbyllë plagën e cila gjakos.
▪ Kontrollo funksionin neurovaskular distal prej vendosjes së fashimit rrethor.
▪ Mungesa e pulsit, çrregullimi i ndjeshmërisë (therjet, dhimbjet e mëdha), edemet që rritën, lëkura e mavijosur ose cianotike e ftohtë, pamundësia e lëvizjes së gishtërinjve, është shenjë se gazat janë tepër të shtrënguara dhe duhet çliruar pa u larguar.

Vërejtje me rëndësi

Pastrimi i plagës nuk bëhet me rastin e tretmanit të lënduarit në kushte jashtëspitalore, por duhet shmangur kontaminimit të mëtejshëm të plagës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë