Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
MASHTI planifikon katër masa legjislative për zbatimin e MSA-së

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka raportuar sot në Komisionin për Integrim Evropian lidhur me angazhimet e këtij dikasteri për përmbushjen e marrëveshjes së MSA-së, dhe adresimin e çështjeve nga fusha e arsimit që kanë të bëjnë me Raportin e Progresit.

Ajo tha se MASHTI në planin e zbatimit të MSA-së për 2021, ka planifikuar katër masa legjislative, duke filluar nga udhëzimi administrativ për organizimin dhe funksionimin e organit profesional, ai për transferin e teknologjisë dhe dijes, dhe format e transferit të teknologjisë, Projektligji për arsimin e lartë dhe Projektligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Nagavci para deputetëve të këtij komisioni tha se në kuadër të shtyllës së tretë në planin e ERA 2, si ministri kanë prioritet përmirësimin e sistemit arsimor.

“Në kuadër të shtyllës së tretë në planin e ERA 2, MASHTI ka prioritet përmirësimin e sistemit arsimor të Kosovës. Disa nga prioritetet e veçanta në këtë plan janë përmirësimi i cilësisë së përgjithshme në sektorin e arsimit, sigurimi i qeverisjes transparente të institucioneve arsimore dhe rritjen e qasjes në arsim. Ndërsa në planin e zbatimit të MSA-së për 2021, kemi planifikuar katër masa legjislative, duke filluar prej udhëzimit administrativ për organizimin dhe funksionimin e organit profesional, udhëzimit administrativ për transferin e teknologjisë dhe dijes dhe format e transferit të teknologjisë, Projektligjin për Arsimin e Lartë, të cilin e kemi në proces të plotësim ndryshimit dhe Projektligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim të cilin shumë shpejtë do ta sjellim në Kuvend”, tha Nagavci.

E para e arsimit foli edhe për raportin e Komisionit Evropian në fushën e arsimit, për çka tha se duhet të bëhet më shumë punë për të pasur përmirësim.

“Përmendet edhe fakti që Agjencia Kosovare e Akreditimit ka filluar që të ketë sukses dhe të ketë marrëdhënie dhe marrëveshje të mira e hapa progresivë në lidhje me rianëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë prej të cilave fatkeqësisht është përjashtuar dhe përmendet decidivisht që ka qenë një hap i mirë zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke respektuar plotësisht një proces transparent dhe duke i respektuar kriteret e përgjithshme gjë që është përmendur si sukses në raportin për vendin dhe që është rezultat i punës që është bërë në gjashtë muajt e fundit. Janë përmendur po ashtu edhe organizimi i trajnimeve për anëtarët për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta i cili ka ndodhur po ashtu gjatë qeverisjes sonë. Aspektet e tjera pozitive janë përmendur edhe hapja e thirrjes që është bërë nga ministria jonë në muajt e fundit në lidhje me mbështetjen e qendrave për mësim në lidhje me fëmijët të cilët vijnë nga komunitetet të cilat janë më të margjinalizuara. Një e gjetur pozitive është edhe ndarja, përkatësisht alokimi i buxhetit edhe për vitin e ardhshëm fiskal, të cilin tashmë ne e kemi planifikuar në buxhetin 2022”, tha Nagavci.

Ministrja Nagaci u është përgjigjur kritikave të deputetëve të këtij komisioni rreth shpërndarjes së teksteve mësimore, për të cilat tha se janë dërguar sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit.

“Në plotëni janë dërguar tekstet mësimore sipas kërkesave të DKA-ve, siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi dhe përtej kësaj një hap i mirë është se për herë të parë janë ofruar edhe tekstet e përkthyera për komunitetet jo shumicë në gjuhën boshnjake dhe turke”, tha Nagavci.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka adresuar kritika sa i përket vonesës së pajisjes së nxënësve me tekste shkollore dhe që ministria nuk ka ofruar tekste shkollore për të gjitha klasat, teksa ka deklaruar se MASHTI ka dhënë tender një burimor për tekste.

Deliu: Një gjë është evidente, librat janë vonuar shumë

Video

“Një gjë është evidente, librat janë vonuar shumë dhe që nxënësit kanë mbetur pa tekste shkollore, tash a janë çështje të kompanisë në fjalë tenderëve një burimor, këtu besoj që do t’i diskutojmë në takime të tjera. Por, se ka pasur vonesa shumë nxënës kanë mbetur me fillimin e vitit shkollor pa i pasur tekstet e tyre shkollore”, tha ajo.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se ka tendencë nga deputetët e partive opozitare ta fajësojnë qeverinë aktuale për dështimet në fushën e arsimit.

“Deputetët e partive opozitare që në të kaluarën partitë e tyre kanë pasur rastin të udhëheqin me Ministrinë e Arsimit, siç është rasti i kohës kur vendi është qeverisur nga Ramush Haradinaj. Mos të harrojmë që Kosova është përjashtuar prej dy institucioneve shumë të rëndësishme të akreditimit siç është ENQA dhe EQAR, pikërisht për faktin se bordi nga kryeministri i atëhershëm ishte shkarkuar për arsye politike. Prandaj, ta pranojmë progresin”, tha Kryeziu.

Pas kësaj deklarate, deputetja e AAK-së Time Kadrijaj ka lëshuar sallën, derisa tha se Kryeziu po e luan rolin e zëdhënëses së qeverisë.

“Je këtu për ta udhëhequr mbledhjen, jo të bëhesh zëdhënëse e qeverisë. Qasja juaj është për keqardhje, pasi që nuk udhëhiqet kështu. Mos e keqpërdor pozitën e udhëheqëses. Duke u thirrur në të kaluarën, nuk mund të ketë progres”, tha ajo.

Mbledhja e komisionit ka vazhduar vetëm me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetin Fridon Lala nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, pasi që edhe deputetët e PDK-së kishin dalë nga mbledhja. /KP/

Youtube

Arkiva

Kategoritë