Shkruan: Albatrit Matoshi
Nuk mund të trajtosh diçka nëse nuk e dini se çka është ajo. E për ta ditur këtë, ju duhet ndihma e një tekniku të mirë të Radiologjisë.
Hajvalia, si në shumë profesione të tjera, ka qëlluar të ketë edhe një teknik të Radiologjisë të jashtëzakonshëm, që me etikën, përkushtimin dhe profesionalizimin e tij ka bërë që emri i tij të jetë ndër më të kërkuarit.
Mustafë Buzoku, 34 vjeç, lindur dhe rritur në Hajvali në mesin e 9 fëmijëve të një familje punëtore, që gjithmonë jetesën e kanë bërë me punë e krenari, sot është një ndër figurat e rëndësishme të Klinikës së Radiologjisë në QKUK.
Zotërues i të gjitha pajisjeve në Klinikë, mjeshtër i rezonancave, e krah i djathtë i të gjithë doktorëve të klinikës.
Nga shkolla “Shkëndija”, ku i kishte marrë hapat e parë të edukimit, Mustafa sot i ka dy fakultete të përfunduara, Radiologjinë e Juridikun, një master në Juridik, shumë trajnime e mirënjohje vendore dhe ndërkombëtare.
Por, asgjë në jetë nuk është kaq e thjeshtë. Njerëzit nuk lindin me profesione dhe asgjë nuk u jepet falas.
Njëjtë, edhe Mustafa është dashur të kapërcej sfida të ndryshme jetësore, për tu bërë ai që është sot.
“Ne na ka vdekur babai kur kam pas vetëm 3 vjet. Vëllau im i madh, Agimi, familjar e punëtor i dedikuar, na ka rritur dhe mbështetur në jetë. Ai ka qenë edhe insistues që unë së pari të regjistrohem në shkollën e mesme të mjekësisë, “Dr. Ali Sokoli”, e më pas edhe të merrem me këtë profesion. Prandaj, para se gjithash, për atë që jam dhe kam sot i jam falënderues familjes për mbështetjen dhe motivimin.”, rrëfen Mustafa për faqen “Hajvalia”.
Si një punë me përgjegjësi të lartë, ku në pyetje është zbulimi dhe diagnostifikimi i sëmundjeve të ndryshme që mund të kenë pacientët, Mustafa e merr shumë seriozisht profesionin që bën. Por, përtej angazhimit dhe lodhjes që vjen me të, ai thotë se ky profesion e bën të lumtur.
“Nuk mendoj që ka diçka më të rëndësishme, më përmbushëse, sesa kur arrinë që të ndihmosh dikë në nevojë. Nuk ka njeri që vjen në spital nga qejfi. Prandaj, është shumë me rëndësi që si profesionist shëndetësor ta bësh punën me dinjitet, mirësjellje e korrektësi. E kur arrin që të ndihmosh dikë dhe ata të jenë të kënaqur me punën tënde, atëherë ky është shpërblimi më i madh për mua.”, vazhdon rrëfimin e tij Mustafa.
Deri më tani, në karrierën e tij 12 vjeçare si teknik i Radiologjisë, Mustafa ka bashkëpununar me shumë profesionistë vendorë e ndërkombëtarë të kësaj lëmie. Për disa vite ka marrë mësime në baza ditore në profesionistë e eskpertë të shquar turq nëpër spitale të ndryshme private në Kosovë. Kjo përvojë e madhe me ta, ka bërë që ai të rritet shumë profesionalisht. Aq sa, inçizimet e tij nuk ka ndodhur të kthehen as në spitalet më të njohura jashtë vendit.
“Në vitin 2019 jam punësuar në QKUK, në Klinikën e Radiologjisë, dhe aty kam gjetë shumë kolegë të mirë, bashkëpunues e profesionistë të mëdhenj. Më kanë pritur mirë jam i lumtur që jam pjesë e atij stafi që punon shumë, çdo ditë, që pacientët të marrin shërbime sa më të mira.”, thotë Mustafa.
Pjesë e kësaj ekipe është edhe Dr. Bujar Gjikolli, drejtor i Klinikës së Radiologjisë. E sa shumë e vlerëson ai etikën dhe profesionalizmin e Mustafës, mjafton të dini se ai u përgjigj në telefon për të biseduar me ne derisa ishte në ceremoninë e kurorëzimit të vajzës së tij.
“Gjithçka që mund të thuhet në aspektin e arritshmërisë më të lartë profesionale, për Mustafën qëndron. Profesionist i nivelit të lartë, koherent, sypatrembur në arritjen e qëllimeve, karakter dhe etikë të pacënuar. Mirëkuptues, mbështetës dhe me tipare të një njeriu të ngritur.”, rrëfen Dr. Bujari për faqen “Hajvalia”.
“Në këtë aspekt mendoj që i kanë ndihmuar edhe dy fakultetet e tij. Por, mbi të gjitha, Mustafa është një koleg i mirë, një shok i mirë, një njeri me integritet dhe i qaset punës e njerëzve me shumë respekt.”, përfundon Dr. Bujari.
Së fundmi, si ekipë që mbështesin njëri-tjetrin dhe me talent të jashtëzakonshëm, Klinika e Radiologjisë për herë të parë ka realizuar Rezonanca Magnetike në tërë trupin.
Duke u dëshmuar në punë si një profesionist i lartë, me përgatitje akademike shumë të mirë, së fundmi Mustafa është bërë edhe pjesë e stafit akademik të Kolegjit AAB. Ai tani po merret aktivisht që pasionin dhe profesionin e tij ta bartë nëpër gjeneratat e reja, që ai dëshiron ti quaj, “Gjenerata të Arta”. Ai ushtron gjashtë praktika, në trajnimin e përdorimit të të gjitha aparaturave, Rëntgen, CT e Rezonancë.
Mustafa edhe sot jeton në Hajvali, është i martuar dhe baba i një djali. Ne i dëshirojmë shëndet, suksese dhe arritje edhe më të mëdha në punë e në jetë. /Hajvalia