Shkruar nga: Miran Xhelili, logoped
Loja ka një ndikim masiv në zhvillimin e të folurit te fëmijët që nga mosha 6-muajshe. Në moshën dyvjeçare, shumica e fëmijëve kanë një fjalor të gjerë me fjalë të vetme dhe është koha kur ata fillojnë të përdorin fjali të thjeshta për të komunikuar nevojat, mendimet dhe ndjenjat e tyre. Rreth kësaj kohe, fëmijët largohen gjithashtu nga loja e vetmuar dhe fillojnë të shfaqin aftësitë shoqërore përmes lojës së parë, paralele, duke lëvizur drejt lojës bashkëpunuese. Sidoqoftë, të gjitha fazat e lojës mbështesin zhvillimin e hershëm të gjuhës duke nxitur aftesite receptive, ekspresive dhe socio-ekspresive. Në rast se një fëmijë nuk arrin të kalojë nëpër këto etapa zhvillimore si shkak i faktorëve që pengojnë zhvillimin të cilët mund të jenë me karakter ambiental, shëndetësor/ të rritjes apo edhe trashëgues, rekomandimi kryesor është konsultimi me logopedin.
Cilat janë hapat që ndërmerr logopedi?
Puna e përditshme e logopedit lidhet ngusht me bashkëpunimin ndërprofesional me profesionistë shëndetësor dhe edukator ku përfshihet: psikologu, ergoterapisti, specialisti i edukimit special, edukatorët, mësuesit, pediatri si dhe psikiatri.
Hapi i parë që logopedi ndërmerr për të identifikuar disa vështirësi që kanë çuar në vështirësitë në zhvillimin e hershëm të etapave gjuhësore dhe aftësive bazike të komunikimit social është aplikimi i Testit të Komunikimit Preverbal, me të cilat identifikohen aftësitë e hershme dhe format e hershme të komunikimit e që janë: buzëqeshja e parë, reagimi ndaj zhurmave, përceptimi i tingullit, i gjuhës dhe reagimet ndaj gjuhës, loja funksionale si dhe kontakti me sy. Kjo e ndihmon logopedin të arrijë përfundime të sakta, të qarta dhe të kërkojë ndihmën e kolegëve të duhur, në kohën e duhur.