Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
“Linja e Jetës” një mik për kujdesin e shëndetit mendor

Në përpjekje për të krijuar një vend ku të gjithë personat në Kosovë mund të kërkojnë ndihmë apo thjesht të flasin për problemet e tyre, një grup vullnetarësh në Prishtinë, po punojnë çdo ditë në atë që quhet “Linja e Jetës”.

Kjo linjë telefonike, që ka synim parandalimin e vetëvrasjeve është e para dhe e vetme në Kosovë.

Ajo funksionon që nga viti 2019, si projekt në kuadër të organizatës Qendra për Informim dhe Përmirësim Social.

Themeluesi i linjës telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve, Bind Skeja, në një intervistë për portalin “Familja Jonë”, tregon rëndësinë dhe kujdesin që duhet të kemi ndaj shëndetit mendor.

Familja Jonë: Sa është i rëndësishem shëndeti mendor?

Bind Skeja: Shëndeti mendor përfshinë mirëqenien tonë psikologjike, emocionale dhe sociale. Këto përcaktojnë aftësinë tonë për të menaxhuar situata të ankthit, periudha të depresionit, lidhjet me persona të tjerë, etj. Si e tillë, shëndeti ynë mendor prek çdo aspekt të qenies tonë njerëzore, dhe përkujdesja ndaj saj është jetike për funksionimin tonë si individ dhe në shoqëri.

Familja Jonë: Si duhet të kujdesemi për shëndetin mendor?

Bind Skeja: Ekspertët kanë shumë rekomandime bazike të cilët mund të shfrytëzohen, siç janë përkujdesja fizike, gjumi i rregullt, biseda me të afërmit, etj. Sidoqoftë, këto teknika nuk janë universale dhe gjëra të ndryshme mund të kryejnë punë për persona të ndryshëm. Është e rëndësishme që kur e vëreni se këto ndryshime në rutinë dhe në aktivitete nuk ju ndihmojnë, të kërkoni ndihmë nga një psikolog. Psikologët mund të ndihmojnë në identifikimin e problemeve dhe zgjidhjeve duke punuar së bashku me juve – gjë që në Linjë rekomandojmë edhe për thirrësit tonë.

Themeluesi i linjës telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve, Bind Skeja

Familja Jonë: Çka ofron Linja e Jetës?

Bind Skeja: Linja e Jetës është shërbim emergjent për persona të cilët kanë mendime për vetëvrasje, por gjithashtu jemi këtu për individ të cilët vuajnë nga depresioni, ankthi, apo çfarëdolloj problemi tjetër që po i bezdisë. Ne nuk ofrojmë trajtim, por ndihmojmë në menaxhimin e situatës emergjente, në lehtësimin e barrës emocionale të individit dhe në referimin për ndihmë afatgjate tek shërbimet tjera psikologjike, siç janë psikologët dhe psikiatrit.

Familja Jonë: A mendoni se po shtohen rastet me çrregullime të shëndetit mendor?

Bind Skeja: Jo, po mendoj se aftësitë tona për identifikimin e tyre po rregullohen. Pra, me rritje e vetëdijes për çrregullime të shëndetit mendor gjithashtu rritet numri i raportimeve të tyre – jo domosdoshmërisht numri i çrregullimeve.

Familja Jonë: Cili është rekomandoni juaj në ditën botërore të shëndetit mendor dhe cili është mesazhi juaj?

Bind Skeja: Rekomandimi im është që të vazhdoj përkujdesja ndaj shëndetit mendor përtej ditës botërore për shëndet mendor. Shërbimet në Kosovë për shëndet mendor janë të dobëta, në shumë komuna plotësisht jo-ekzistente. Në mënyrë që të ndihmojmë sa më shumë personave, si shoqëri dhe si Linjë e Jetës, është e rëndësishme që i gjithë zinxhiri i shërbimeve të jetë funksional dhe i përkrahur prej institucioneve përkatëse. Tani, gjatë zgjedhjeve lokale, e kemi një mundësi që të kërkojmë atë që e meritojmë prej qeverisjes lokale në Komunat tonë. Kur votoni të dielën, mbajeni në mend këtë ditë. /FamiljaJonë/

Youtube

Arkiva

Kategoritë