Në njoftimin e fundit, Pfizer ka bërë me dije se vaksinat e tyre kundër Covid-19 funksionojnë edhe për fëmijët e moshave nga 5-11 vjeç- një hap thelbësor përsa i përket vaksinimit të fëmijëve të vegjël.
Vaksina e bërë nga Pfizer dhe partneri gjerman BioNTech është gati për moshat 12 e lart, por rikthimi i fëmijëve në shkollë dhe varianti Delta i cili ka shkaktuar një rritje të lartë infektimesh edhe tek fëmijët, ka sjellë shqetësimin e prindërve, të cilët presin me padurim vaksinën për të vegjëlit.
Për fëmijët e shkollës fillore, Pfizer testoi një dozë të vogël vaksine- 1/3 e sasisë që jepet për 1 dozë. Pas dozës së dytë, tek fëmijët e moshave 5-11 vjeç u zhvilluan anti-trupa po aq të fortë sa tek adoleshentët dhe të rinjtë. Doza e vaksinës që do të aplikohet tek ta, është e sigurt dhe shoqërohet me efekte anësore të ngjashme me të tjerat: dhimbje e lehtë krahu, temperaturë apo këputje e përkohshme.
Në fillim të muajit, përfaqësues të FDA-së thanë se sapo Pfizer të marrë rezultatet e studimit, do të jetë thjesht çështje kohe (brenda disa javësh) për të vendosur nëse vaksinat janë të sigurta dhe efektive për të vegjëlit e këtyre moshave. Shumë vende perëndimore nuk kanë vaksinuar fëmijë nën12-vjeç, pasi ishin në pritje të provave, për të parë nëse funksionon tamam.
Ndonëse fëmijët janë grupi më pak i rrezikuar nga virusi, më shumë se 5 milionë fëmijë në SHBA kanë rezultuar pozitivë ndaj Covid-19 që nga fillimi i pandemisë dhe rreth 460 prej tyre kanë ndërruar jetë.
Nga ana tjetër, Moderna, është gjithashtu duke studiuar dozën e duhur për fëmijët e moshës 5-11 vjeç, por studimet e tyre janë zgjedhuar edhe tek foshnjat 6 muajshe, rezultatet e të cilave do të merren vitin e ardhshëm.