Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Ndërprerja e shërbimeve jo urgjente në QKUK – kosto për pacientët, kërkohet hetim

Pezullimi i shërbimeve jo urgjente në klinikat dhe Ambulancat Specialistike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, po konsiderohet shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut. Po ashtu pacientët po përballen edhe me kosto të lartë pasi shërbimet e njëjta mjekësore, po detyrohen t’i marrin në spitalet private.

Për këto veprime Shoqata e Pacientëve të Kosovës po kërkon hetim. Avokati i Popullit, Naim Qelaj thotë se vendimet të tilla po merren pa bazë ligjore dhe po përbëjnë shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Qelaj për KosovaPress thotë se këto reduktime të shërbimeve spitalore në QKUK do duhej të kishin një plan se ku do të mund të merreshin.

“Duhet me pas kujdes reduktime dhe kufizime të tilla të të drejtave dhe lirive të njeriut mund të bëhen vetëm nëse janë të përcaktuara me ligj. Në të kundërtën paraqesin shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut e padyshim dhe veprim jo të ligjshëm të organeve kompetente….Duhet me iu dhënë mundësi alternative qytetarëve që kanë nevojë për shërim dhe trajtim spitalor e që nuk janë të infektuar m COVID. Në asnjë moment qytetari nuk duhet me e lënë pa asnjë mundësi në rast se nuk ofrohen shërbime specialistike të tilla mund të ofrojnë sektorët tjerë ose në forma të tjera por të mbuluara dhe koston e tyre duhet ta mbulojnë institucionet”, u shpreh ai.

E Shoqata e Pacientëve të Kosovës madje ka paralajmëruar edhe hetim për pezullimin e shërbimeve elektive.

Kryetari i Shoqatës së Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra thotë se dëmi që po iu shkaktohet pacientëve duke i mbyllur këto shërbime është mjaftë i madh, madje edhe po shtohen edhe listat e pritjeve.

Kodra thotë se pacientët që po u mohohen këto shërbime në institucionet publike dhe të cilat po duhet t’i marrin në ato private, nuk po kompensohen as nga Qeveria e Kosovës.

“Është hera e tretë që në Kosovë po ndërprehen shërbimet elektive shëndetësore dhe se kjo padyshim iu ka shkaktuar dëm të madh të pacientëve dhe ka shtuar listat e pritjes dhe ka krijuar një mundësi për abuzim që pacientët e institucionet shëndetësore të barten në institucionet private…Ne konsiderojmë se ndërprerja e shërbimeve shëndetësore në këtë fazë duke pasur edhe konstatim të avokatit të popullit se kjo është shkelje konsideroj se kemi të bëjmë me një ndërprerje të kundërligjshme e cila meriton një hetim sepse qytetarët janë në hall duke dëmtuar nga mosmarrja e shërbimeve nga institucionet publike, por nuk janë duke u kompensuar nga qeveria për shumat marramendëse të parave që shfrytëzojnë në marrjen e shërbimeve shëndetësore në institucionet private”, theksoi ai.

Kryetari i Shoqatës së Pacientëve të Kosovës thotë se institucionet shtetërore para se të vendosin për kufizim të shërbimeve jo urgjente duhet të ofrojnë alternativa tjera për pacientët.

“Ne kemi kërkuar që këto të mos ndërprehen, ne kemi kërkuar që Qeveria të gjej metoda alternative për të përballuar në fakt fluksin e rasteve me COVID-19 dhe shërbimet tjera të mos ndërprehen arsye e ekzistimit të IKSHP dhe ministrisë në përgjithësi është mbrojtja e shëndetit publik, nëse kemi ndërprerë mijëra-mijëra operacione, vizita specialistike e shërbimin spitalor dhe po merren me COVID a është kjo mbrojtje e shëndetit publik….Ne konsiderojmë se këtu ka hapësirë edhe për një hetim të mirëfilltë pasi mund të ketë edhe abuzim në ofrimin e shërbimeve në institucionet private”, theksoi ai.

Kritika për këtë vendim të SHSKUK-së ka adresuar edhe anëtari i komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu i cili thotë se si pasojë e këtyre vendimeve pacientët po detyrohen të trajtohen në klinikat private duke rritur koston për trajtim.

Deputeti i PDK-së thotë se tashmë i gjithë sistemi shëndetësor është koncentruar vetëm në menaxhim të pandemisë dhe se për 20 muaj institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të krijojnë hapësira të veçanta vetëm për pacientët me koronavirus.

“I tërë sistemi shëndetësor është shndërruar në sistem COVID, pra për 20 muaj nuk ka pasur ndonjë përpjekje që të formohen ose hapen spitale montazh për të ofruar shërbimet COVID nuk ka qenë e domosdoshme të ndërpriten të gjitha shërbimet tjera në veçantë Ambulancat Specialistike sepse kanë mundur të funksionojnë me termine kjo e ka edhe një kosto tjetër për qytetarët e Kosovës sepse qoftë edhe për një vizitë specialistike detyrohen me shkua në spitalet private. Lista e gjatë e pritjes e cila është krijuar për shkak të dështimit në menaxhim dhe keqmenaxhimit ka me pas pasoja të rënda edhe më vonë sepse krejt këto do shkojnë në kosto të buxhetit të qytetarëve të Kosovës”, theksoi ai.

Në anën tjetër KosovaPress ka tentuar të marr një përgjigje nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës se kur do mund të ndodh rikthimi i shërbimeve elektive, por edhe i Ambulancave Specialistike, por që ata nuk janë përgjigjur.

Për shkak të numrit të madh të pacientëve që kishin nevojë për hospitalizim pas infektimit me COVID-19, nga 31 gusht i këtij viti nuk po ofrojnë shërbime as Ambulancat Specialistike të cilat janë shndërruar në qendra për trajtim të pacientëve me koronavirus.

Gjatë kësaj jave në SHSKUK ka rënë numri i pacientëve me koronavirus që po kërkojnë trajtim spitalor.

Youtube

Arkiva

Kategoritë