Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), po i emëron në bazë të alfabetit grek variantet e reja të koronavirusit.
Përhapja e vazhdueshme e koronavirusit SARS-CoV-2, ka krijuar variante të reja të cilat kanë nxitur ekspertët të vëzhgojnë me kujdes ato dhe të bëjnë hulumtime intensive.
Disa mutacione të virusit që e shkakton sëmundjen COVID-19, e kanë bërë atë më infektues dhe më imun ndaj vaksinave.
Vëmendja e shkencëtarëve është e fokusuar te varianti Delta, i cili po dominon rastet e të infektuarve në të gjithë botën.
Megjithatë, shkencëtarët janë duke gjurmuar variante të tjera për të kuptuar më shumë se cili nga ata, mund ta zërë vendin e Deltës, transmeton agjencia Reuters.
Delta ende po dominon
Më shqetësuesi nga gjitha varianetet, mbetet Delta. Ai u zbulua për herë të parë në Indi. Ky variant po godet popullsitë e pavaksinuara në shumë vende. Ai ka aftësinë të infektojë një përqindje më të lartë të njerëzve sesa variantet paraardhëse të tij.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e ka klasifikuar Deltën si një variant shqetësues. Pra, sipas përkufizimit të OBSH-së, ai ka aftësinë të përhapet më shpejt, pastaj te pacientët të shkaktojë sëmundje më të rënda, apo të ulë efikasitetin e vaksinave dhe të medikamenteve për trajtim.
Superfuqia e variantit Delta, qëndron në aftësinë për përhapje të shpejt, thotë Shane Crotty, një virologe në Institutin e Imunologjisë “La Jolla”, në San Diego.
Studiuesit kinezë erdhën në përfundim se njerëzit e infektuar me variantin Delta, mbajnë 1.260 herë më shumë virus në hundë, në krahasim me versionin origjinal të koronavirusit.
Disa hulumtime amerikane, thonë se sasia e virusit në individët e vaksinuar që infektohen me Delta, është në të njëjtin nivel me ata që janë të pavaksinuar, por për këtë duhen më shumë hulumtime.
Delta dallon edhe në kohën e paraqitjes së simptomave nga varianti i parë i koronavirusit.
Variantit të parë iu deshën deri në shtatë ditë për të shkaktuar simptoma, ndërsa Delta mund të shkaktojë simptoma dy deri në tre ditë më shpejt, duke i dhënë më pak kohë sistemit imunitar të njeriut, që të përgjigjet dhe të krijojë një lloj mbrojtje.
Varianti Lambda në rënie
Varianti Lambda ishte identifikuar për herë të parë në Peru, në muajin dhjetor.
Ai kishte tërhequr vëmendjen e ekspertëve si një kërcënim i ri, por duket se po tërhiqet.
Rastet me variantin Lambda po rriteshin në muajin korrik, por gjatë katër javëve të fundit është shënuar rënie e të infektuarve me këtë variant, sipas të dhënave të GISAID, një bazë të dhënash që gjurmon variantet SARS-CoV-2.
OBSH-ja e ka klasifikuar Lambdan si një “variant interesi”. Kur OBSH e vendos ndonjë variant në këtë kategori, do të thotë se ai mbart mutacione të dyshuara se shkaktojnë një ndryshim në transmetueshmërinë, ose shkaktojnë sëmundje më të rënda, por që ende është nën hulumtim.
Studimet laboratorike kanë treguar se ka mutacione që i rezistojnë antitrupave që krijohen nga vaksinat.
Mu nën vëzhgim
Varianti Mu, apo që në gjuhën shkencore më parë është quajtur B.1.621, është identifikuar në Kolumbi gjatë muajit janar.
Më 30 gusht, OBSH-ja e shpalli si variant interesi, për shkak të disa mutacioneve shqetësuese dhe i caktoi një emër me shkronjën greke MU.
Varianti Mu mbart mutacione kryesore, duke përfshirë E484K, N501Y dhe D614G. Këto kanë të bëjnë me rritjen e transmetueshmërisë dhe uljen e mbrojtjes nga ana e imunitetit.
Javën e kaluar, në buletinin e rregullt të OBSH-së, u tha se varianti Mu ka shkaktuar disa shpërthime më të mëdha të të infektuarve në Amerikën e Jugut dhe Evropë.
Ndërsa numri i rasteve të identifikuara si Mu ka rënë nën 0.1% në nivel global, ky variant përfaqëson 39% të rasteve në Kolumbi dhe 13% në Ekuador, vende ku përhapja e tij “është rritur vazhdimisht”.
Agjencia Globale e Shëndetit, tha se po vazhdon të monitorojë variantin Mu në Amerikën e Jugut, veçanërisht në zonat ku ai qarkullon bashkë me variantin Delta.
Kreu i njësisë së sëmundjeve të OBSH-së, Maria van Kerkhove, tha se qarkullimi i këtij varianti po ulet në nivel global, por megjithatë ai duhet të vëzhgohet nga afër.
Në një konferencë për media javën e kaluar, këshilltari kryesor mjekësor i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci, tha se zyrtarët amerikanë po e vëzhgojnë këtë variant, por deri më tani, sipas tij, varianti Mu nuk vlerësohet se paraqet kërcënim të menjëhershëm.
Vaksinimi dhe variantet e reja
Ekspertët thonë se sa më shumë njerëz duhet të vaksinohen, pasi grupet e mëdha të njerëzve të pavaksinuar krijojnë mundësinë që virusi të përhapet dhe të shndërrohet në variante të reja.
Sipas tyre përpjekjet për vaksinim duhet të rriten ndërkombëtarisht për të shmangur shfaqjen e varianteve të pakontrolluara, në mesin e popullatave në vendet e varfra.
Vaksinat që përdoren aktualisht parandalojnë që të infektuarit të sëmuren rëndë dhe të vdesin, por ato nuk bllokojnë infeksionin.
Virusi është ende i aftë të shumohet në hundë, madje edhe në mesin e njerëzve të vaksinuar, të cilët më pas mund ta transmetojnë atë.
Mbase për ta mposhtur SARS-CoV-2, duhet të hulumtohet për një gjeneratë të re vaksinash, të cilat do ta kenë aftësinë të ndalin edhe transmetimin e virusit, thotë Gregory Poloni, një hulumtues i vaksinave në Klinikën Mayo.
Deri atëherë, sipas tij dhe ekspertëve tjerë, bota do të përballet me shfaqjen e varianteve të reja të koronavirusit