Race for the Cure, është ngjarja më e madhe sportive e Evropës për shëndetin e grave. Ndihmon organizatat dhe spitalet e kancerit të gjirit për të mbledhur fonde dhe për të rritur ndërgjegjësimin.
Violeta Pirana, organizatorja e kësaj ngjarje në një prononcim për portalin Familja Jonë bën thirrje për solidarizim në këtë ngjarje.
“Race for the Cure”, lus të gjithë që sa më tepër të solidarizohen me këtë ngjarje globale e cila e ka qëllimin për të mbledh fonde për pacientë të kancerit të gjirit”,
Organizata ndërkombëtare “Think Pink Europe”, e jep të drejtën e organizimit të Race for the Cure në çdo shtet, mirëpo për Kosovën është licencuar nga Renesansa.
Pirana bën të ditur se këtë vit kjo ngjarje do të mbahet në qytetin e Prizrenit.
“Race for the Cure këtë vit do të mbahet më 26 shtator në Prizren, me ç’ rast do të përfshijë aktivitete të ndryshme”.
Ky është edicioni i tretë që organizohet të dielën e fundit të shtatorit. Në mbështetje të pacientëve që luftojnë me kancerin e gjirit.
“Race for the Cure Kosova 2021, është edicioni i tretë që organizohet çdo herë në të dielën e fundit të shtatorit, ku marrin pjesë të gjithë pa dallim moshe”.
Ky organizim përfshin disa qëllime të cilat sipas organizatorës Violeta Pirana synohen që të plotësohen.
“Ndërgjegjësimi i shoqerisë se zbulimi i hershëm shpëton jetën, kremtimi i mbijetesës se pacientëve të CA, inkurajimi i pacinetëve të cilët trajtohen, përkujtimi i atyre të cilet kanë humbur betejën me këtë sëmundje, edukimi i fëmijëve që sporti është i shëndetshëm prandaj duhet të mirren me sport dhe solidarizimi i tërë shoqerisë me pacientët e kancerit të gjirit në Kosovë, por edhe në botë”.
Përveç këtyre, është një tjetër qëllim i këtij organizimi.
“Qëllimi i organizimit është që të mbledh fonde për pacientë të kancerit të gjirit dhe të investohet në dobi të tyrë në Klinikën e Onkologjiksë”, deklaron Violeta Pirana.
Ndryshe, muaji tetor është muaj i vetëdijesimit për kancerin e gjirit. Në Kosovë vazhdimisht janë bërë fushata për t’i vetëdijesuar gratë që të bëjnë kontrolle të shpeshta, në mënyrë që sëmundja të zbulohet me kohë.
Gjatë vitit 2019, kanë qenë 380 raste të reja me kancer të gjirit, derisa gjatë vitit 2020,sipas onkologut Kurtishi, sipas parashikimeve që ata i kanë përllogaritur, numri i grave që janë diagnostifikuar me kancer ka qenë rreth 320 sosh.
Ndërkaq prej numrit të përgjithshëm të të prekurve me kancer në Kosovë, te gratë prin kanceri i gjirit, derisa te meshkujt ai i mushkërive, ndërkaq mosha mesatare e të prekurve, është rreth 50 vjeç.
Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë.