“Lodhja” nga puna tashmë ka njohjen zyrtare të OBSH-së si problem i diagnostifikueshëm dhe fenomen i lidhur me profesionin.
Në kulturën e sotme, ku fokusi te karriera sa vjen e rritet, e bashkë me të edhe orët e shpenzuara mbi normën, volumi i punës apo stresi që rrethon ambientin e saj, “burnout” siç njihet aktualisht, apo rraskapitja prej punës është kthyer gati në epidemi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë flet për një sindromë që vjen si rezultat i stresit kronik në vendin e punës, pasojat e të cilit nuk janë trajtuar siç duhet. Kjo është hera e parë që bëhet zyrtarisht një lidhje e tillë.
Tre faktorët që e nxisin këtë klasifikim janë:
• Shterimi i energjisë dhe ndjesia e rraskapitjes
• Rritja e distancës mendore që dikush krijon me vendin e punës, apo ndjenjat e
negativitetit dhe cinizmit që individi i lidh me punën
• Reduktimi i efikasitetit profesional
Sfilitja në vendin e punës nuk është thjesht lodhje, ajo vjen me rraskapitje kronike dhe acarim të vazhdueshëm. Personat që e përjetojnë humbasin motivimin e nuk vonon dhe ulja e rendimentit në punë, ndërsa seria e problemeve të shkaktuara prej saj janë si emocionale, ashtu dhe fizike.
Sipas studiuesit Dan Schawbe, sfilitja në vendin e punës është kthyer në një shqetësim madhor, pasi njerëzit punojnë më shumë, por ndiejnë se nuk kompensohen ndershmërisht./Familja Jonë