Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
MBI TË DREJTËN PËR VAKSINIM DHE IMPONIMIN E VAKSINIMIT KUR SHKELEN TË DREJTAT E NJERIUT?

Shkruan: Blerim Myftiu, neurolog

Mjeku X dhe bashkëshortja e tij kishin mësuar në fillim të vitit se, po të shkonte gjithçka në rregull, fëmija i tyre i parë do të lindte në gusht. Entuziazmi i pritjes së fëmijës së parë ishte i tillë, siç ua kishin përshkruar të gjithë të tjerët që tanimë e kishin fëmijën dhe e kishin rritur. Mjeku X që prej fillimit të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri (SARS-CoV-2), kishte pasur kontakt të vazhdueshëm (edhe direkt, meqenëse – edhe pse jo infektolog – ishte angazhuar në klinikat për Covid për ta bërë detyrën e mjekut, së pari) me pacientët e sëmurë nga Covidi-19. Në krahasim me mosbesimtarët dhe skeptikët e virusit të cilët vështirë ta kenë parë spitalin apo pacientin që lufton për çdo copë oksigjeni në agoninë e tij, mjeku X e kishte parë nga afër shuarjen e 39-vjeçarit i cili në frymën e fundit, në orën katër të mëngjesit, i përmendte fëmijët e tij; e kishte parë nga afër edhe vdekjen e lehonës që sapo e kishte sjellë në jetë një pjesë të shpirtit të saj … dhe të shumë të tjerëve, në kohë pa kohë, pa ndonjë sëmundje përcjellëse. Këta nuk kishin vdekur nga goditja e rrymës elektrike apo aksidenti në komunikacion, siç komentojnë shumë cinikë dhe injorantë – në hapësirën e komenteve të faqes së Ministrisë së Shëndetësisë në Facebook – kur bëhet raportimi ditor i rasteve, vdekjeve e të vaksinimeve.

Mjeku X kishte përzgjedhur që gjatë tërë kohës së pandemisë, dhe veçmas gjatë vitit 2021, të mos merrte pjesë në asnjë dasmë (pa marrë parasysh afërsinë familjare); të mos dilte për kafe dhe në takime të panevojshme me shoqëri, në kafene e në restorante; ta mbante maskën edhe jashtë, edhe brenda, edhe atëherë kur numri i infektimeve të reja ditore ishte njëshifror, edhe atëherë kur përbuzej nga kolegët apo kushdo se “hala po ruhesh e hala po tutesh a?”, edhe në liftin e banesës së vetë, edhe kur futej në marketin e lagjes për të blerë diçka …

Që prej para një muaji, mjeku X e kishte planifikuar pushimin vjetor që të kalonte 3-4 javët e para të të porsalindurit me të. Por, në ditën e lindjes, mjeku X kuptoi që pushimet vjetore të personelit shëndetësor qenë anuluar dhe se duhej t’i kthehej punës. Përveç vuajtjes shpirtërore se nuk do të ishte në gjendje që 24 orët t’i kalonte me foshnjën dhe të ndihmonte bashkëshorten në fazën kritike të lehonisë, ai do të rekrutohej për t’u ofruar shërbim pacientëve në njërën nga klinikat për Covid, ku do të gjente të tillë që kanë shkuar në dasma, nuk e kanë huq asnjë ditë të daljes në kafene e klube nate, që maska në gojë i ka vënë në siklet, që nuk janë frikësuar prej virusit, që nuk kanë besuar në ekzistimin e tij, që kanë menduar se Bill Gatesi po ua vë çipin apo e se vaksinat nuk janë të sigurta.

“Mjeku X e ka dhënë betimin e Hipokratit, prandaj pse po e bën të madhe?”, “mjeku paguhet për punën që bën!”, lexoj disa komente. Në rregull. Mjeku X i është përgjigjur thirrjes së eprorit për ta ndërprerë pushimin dhe për ta ofruar shërbimin aty ku i kërkohet. Për asnjë mjek dhe personel tjetër shëndetësor, përgjigja në detyrë nuk është çështje diskutimi.

Por, çështja duhet të ndërlidhet me të drejtën për vaksinim, mbi mundësinë e imponimit të vaksinës dhe nëse imponimi i shkel të drejtat e njeriut. Apo, realisht, shkelen të drejtat e njeriut atyre që janë vaksinuar dhe të cilët duhet të punojnë me të pavaksinuarit (që zgjedhin të jenë të tillë) duke ua rrezikuar jetën të vaksinuarve dhe familjeve të të vaksinuarve.

Kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), para disa ditësh bëri një deklaratë të cilën po e citoj të marrë nga një portal: “Edhe tek ne vaksinimi po bëhet obligativ, për faktin se ajo po jepet në mënyrë kërcënuese, në masa shtrënguese, pasi ata po deklarohen se nëse nuk e keni dëshminë që jeni vaksinuar apo nuk e keni testin PCR, atëherë nuk mund të hyjnë askund, pra po i kufizon të drejtën e lëvizjes, po merr karakterin obligativ nën kërcënim”!

Natyrisht që secili mund të shkojë në dasmë përderisa nuk është e ndaluar; natyrisht që asnjëri mund të mos mbajë maskë nëse Qeveria ka lejuar të mos mbahet; natyrisht që gjithsecili ka të drejtën të besojë në teori të ndryshme komploti; natyrisht që secili mund të zgjedh nëse do t’i nënshtrohet një procedure mjekësore apo terapeutike, qoftë edhe ai vaksinim. Mirëpo, një e drejtë e dhënë dikujt nuk mund ta cenojë të drejtën e tjetrit dhe ky është parimi universal mbi të cilin bazohen të drejtat dhe liritë e njeriut.

Është një rrëfim tjetër nëse një pacient me hipertension arterial zgjedh të mos përdor terapi apo të mos mbajë dietë – në këtë rast e dëmton veten dhe askënd tjetër, hipertensioni i tij arterial nuk ngjitet. Është rrëfim në vete nëse një pacient me kancer zgjedh të përdor kokrra të marihuanës në vend të kimioterapisë apo radioterapisë – përgjegjësinë e mban vetë, por askujt nuk ia rrezikon shëndetin. Kur bëhet fjalë për sëmundje ngjitëse, rrëfimi është krejtësisht tjetër. Nuk mundet sot një njeri në Kosovë dhe në botë të thotë “nuk dua të vaksinohem për tuberkuloz apo për linë e ujit”, sepse vendimi i tij ndikon direkt në tjetrin duke e infektuar dhe madje shkaktuar dëme serioze në shëndetin e rrethit, madje vdekjen.

Për këtë arsye ekziston Ligji i posaçëm (02/L-109) për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, në kuadër të të cilit në nenin 28.1.a përcaktohet qartë cilat vaksina janë të obliguara dhe në nenin 29 i jepet e drejta Ministrisë së Shëndetësisë që në bazë të rekomandimit të IKSHP-së të fusë edhe vaksina të tjera në kalendarin e vaksinimit, varësisht nga situata epidemiologjike.

Në kushte ideale, Ministria e Shëndetësisë apo IKSHP-ja nuk do të duhej të ishin lloj “xhandari” i cili do të përcaktonte kur duhet mbajtur maskë e kur jo, kur duhet përfshirë në mesin e tollovisë me 200-300 persona apo se kur mund ta rrezikosh gjyshin 80 vjeç apo foshnjën e porsalindur. Mirëpo, marrë parasysh njohuritë e mangëta të popullatës sonë lidhur me shëndetin, dy vitet e fundit kanë treguar se medoemos duhet pasë masa dhe shtrëngime, në mënyrë që të disiplinohet ajo. Nëse lirohen masat pa asnjë kriter (siç ndodhi në qershor 2020 dhe tani në pranverën e sivjetme), rezultati është vala që ka ardhur. Një pjesë të fajit natyrisht se e ka varianti përhapës dhe ngjitës, por pjesën më të madhe e ka sjellja e shoqërisë.

Nëse personi Y në këtë rast paska të drejtë të mos vaksinohet dhe të vazhdojë të jetë mbjellësi i infeksionit kudo (ngase me gjasë ky personi Y nuk mban as maskë, as distancë dhe asnjë tjetër masë higjienike), athua personi Y është shkelësi i të drejtës së mjekut X (i cili mendon se po qe se gjithkush do të ishte po aq i kujdesshëm sa vetë mjeku X, pandemi të kësaj përmase nuk do të kishim) dhe sa është përgjegjës personi Y nëse mjeku X infektohet (edhe pse i vaksinuar) dhe ia bart këtë foshnjës së vetë të porsalindur (pasojat nuk dihen) apo bashkëshortes lehonë? A nuk duhet që shoqatat e thirrura për të drejtat dhe liritë e njeriut të reagonin edhe në këtë rast për fatin e mjekut X, natyrisht nga perspektiva tjetër? Apo, cenimi i të drejtës së dikujt që nuk mund të hyjë në restorant ngase nuk ka vërtetim vaksinimi është kufizim jetik i lirisë së lëvizjes krahasuar me tragjedinë që mund t’i ndodh dikujt në familje që i ekspozohet virusit për shkak të thirrjes për punë?

A nuk do të duheshin shoqatat e thirrura për të drejtat dhe liritë e njeriut të dilnin me deklaratë vetëdijesuese që t’i shtynin njerëzit të vaksinohen, t’u dilnin në mbrojtje nxënësve që do të marrin mësim nga mësuesit e pavaksinuar, t’u dilnin në mbrojtje kamerierëve që do t’i shërbejnë të pavaksinuarit, policëve e ushtarëve dhe të gjithë punëtorëve – deri te arkëtarja e supermarketit – që duhet t’u shërbejnë dikujt që nuk zgjedh të vaksinohet apo nuk respekton asnjë masë epidemiologjike duke e rrezikuar krizën më të madhe shëndetësore të pasluftës?

Youtube

Arkiva

Kategoritë