Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Vërmicë, qytetarët paguajnë 25 euro testin e shpejtë për të hyrë në Kosovë

Masat e reja anti-COVID kushtëzojnë çdo person që dëshiron të hyjë në Kosovë të ketë certifikatë vaksinimi, test PCR negativ apo test rapid. Kështu është edhe në Vërmicë, pikë kalimin kufitar më të madh me Shqipërinë. Mirëpo, ndryshe nga dy ditët e kaluara prej kur kanë hyrë masat e reja në fuqi, sot qytetarët që vinin nga Shqipëria kishin mundësinë që të bënin testin rapid për të hyrë në Kosovë, i cili kushtonte 25 euro, pasi më parë ishin detyruar të kthehen mbrapsht.

Nga 30 gushti kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID, ku çdo person që synon të hyjë në Kosovë duhet të posedojë ndonjë nga dëshmitë si certifikatën e vaksinimit, testin PCR negativ, test i shpejtë antigjen, apo dëshmi që personi ka kaluar COVID-19 jo më shumë se 180 ditë. Po ashtu, shtetasit e Kosovës në rast të mosposedimit të ndonjë nga dëshmitë duhet të vetëizolohen për shtatë ditë.

Një nga personat që nuk u lejua të hyjë në Kosovë për shkak të mosposedimit të ndonjë prej dëshmive ishte Rexhep Leshi nga Dibra, i cili tregoi se u kthye nga policët doganorë.

Megjithatë, ai u shpreh se respekton masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës dhe se janë të nevojshme për shkak të rasteve me COVID-19.

“Më thanë pa bërë testin nuk lejohet për të kaluar kufirin, duhet të bëhet testi për të kaluar kufirin… E detyrueshme për të bërë testin, nuk kishte detyrim tjetër, mënyrë tjetër për të kaluar pa test nuk kishte”, tha ai.

As qytetari Izet Leshi nga Lushnja, nuk u lejua të hyjë në Kosovë në mungesë të certifikatës së vaksinimit dhe dëshmisë së testit negativ.

Më pas, ai shfrytëzoi mundësinë që të bëjë testin rapid në pikën kufitare, si mënyrë e vetme për të hyrë në Kosovë.

“U nisëm për të shkuar në Rahovec kishim ca punë dhe nuk na lejuan, na kthyen për testin edhe u detyruam të vijmë të bëjmë testin”, tha ai.

Shtetasit e Kosovës të cilët kthehen në vend por që nuk posedonin ndonjë nga dëshmitë e kërkuara me vendim qeveritar, mund të zgjidhnin edhe vetëizolimin për shtatë ditë. Të njëjtit vetëm plotësonin deklaratën nën betim se do të vetëizolohen dhe u lejohej hyrje në territorin e Kosovës.

Edis Baxhaku, banor i Prizrenit, së bashku me familjen e tij që po ktheheshin nga pushimi plotësuan deklaratën se për shtatë ditë do të vetëizolohen dhe të njëjtit u lejuan të hyjnë në vend.

“Nuk pati asnjë problem, ne kemi erdhëm prej pushimeve, më shënuan një formularë që duhet të vetëizolohem një javë ditë shkaku që nuk kam vaksinë… Nuk kam test PCR, nuk kam as vaksinim, për atë duhet të vetëizolohem tash një javë ditë në shtëpi… E gjithë familja, të gjithë duhet të vetizolohemi”, deklaroi ai.

Ndërkaq, ata persona të cilët posedonin certifikata të vaksinimit, dëshmi të testit PCR apo testit të shpejtë nuk kishin asnjë problem për të hyrë në territorin e Kosovës.

Me paraqitjen e dëshmisë së testit negativ, qytetari Armend Elezi nga Kukësi, hyri në Kosovë pa asnjë problem.

“I kishim marrë masat se ishim të informuar për shtrëngimin e masave. Thjeshtë është pak burokratike, të merr pak kohë, por ndoshta është e nevojshme edhe ajo kontrolli i dokumenteve të vonon. Por, gjithsesi kaluam mirë… Unë personalisht kisha test, ndërsa këta të dy kanë pasur certifikata të vaksinës”, tregoi ai. Probleme pas paraqitjes së dokumenteve të kërkuara për të hyrë në Kosovë nuk pati as qytetari Ylber Tërshalla nga Kukësi.

“Nuk pata asnjë problem, jam në rregull me të gjitha gjërat në rregull, me test me krejt gjërat… Testin na kërkuan dhe asnjë problem”, potencoi ai.

Edhe qytetari Fatos Jasiqi nga Gjakova që po kthehej nga pushimet nuk pati probleme për të hyrë në Kosovë pasi që posedonte certifikatën e vaksinimit.

“Na u kërkuan ato (dëshmitë e vaksinimit), të gjitha i kemi, vaksinimin e kemi, certifikatat i kemi gjithçka në rregull”, tha ai.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që secili person që hyn në Kosovë duhet të posedojë dëshmi si certifikatën e vaksinimit, testin PCR negativ apo test të shpejt, sot në pikën kufitare qytetarët mund të bënin testin e shpejtë pasi që kishte nisur punën një laborator privat.

Laboranti Elvis Himqi tregoi se çmimi për test është 25 euro dhe shtoi se si ditë e parë nuk ka pasur numër të madh të qytetarëve që kanë kërkuar për të bërë testin.

“Sot është dita e parë që ne kemi filluar aktivitetin tonë në pikën doganore në Morinë. Aktualisht janë pak numra që kanë kryer testet, nuk e dimë si do të jetë në vijim për shkak të fluksit që mund të ketë në pikën doganore… Subjekti është i licencuar për të kryer dhe aktualisht operojmë edhe në pikat e tjera, së fundi edhe në pikën e Morinës duke qenë që është përcaktuar edhe kriter posedimi i rezultatit të testit apo certifikatë vaksinimi për të kaluar kufirin… Çmimi është i njëjtë sikurse aplikohet në të gjitha klinikat, në të gjitha qytetet e Shqipërisë, është 3 mijë lekë apo 25 euro”, tha ai.

Në anën tjetër, personave që nga Kosova shkonin në Shqipëri nuk u kërkohej asnjë dokument sa i përket COVID-19. Kështu do të jetë edhe për pak ditë, pasi nga 6 shtatori Shqipëria do të aplikojë masën e reciprocitetit dhe qytetarët kosovarë do të duhen të paraqesin të njëjtat dëshmi sikurse hyjnë në Kosovë.

Qytetari Labinot Shulina nga Rahoveci që ishte nisur në drejtim të Shqipërisë tha se sot nuk i kishin kërkuar asgjë për të kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri.

“Asnjë problem nuk e patëm, po shkojmë në Tiranë kemi punë, po këtu në Shqipëri kurrgjë nuk na thanë kaloni bukur, leni paratë në Shqipëri, Kosova le të mbyllet edhe ditën e mirë kaq”, tha ai.

Duke filluar nga data 6 shtatori, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte: 1. Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë. 2. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve. 3. Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit. Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit./KP/

Youtube

Arkiva

Kategoritë