Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Profesoresha Hatixhe Pupovci- Latifi: Gratë shtatzëna të infektuara me COVID-19 – me rrezik të lartë për të zhvilluar forma të rënda të të sëmundjes

Profesoresha universitare në Fakultetin e Mjekësisë, si dhe doktoresha, Hatixhe Pupovci – Latifi, përmes një postimi në Facebook, shprehet se gratë shtatzëna, të infektuara me COVID-19, janë në rrezik më të lartë për të zhvilluar forma më të rënda të kësaj sëmundjeje.

Sipas saj, infektimi me koronavirus te gratë shtatzëna mund të çojë deri te lindja e parakohshme apo dështimi në shtatzëni. Ajo thekson se gratë shtatzëna, që janë të infektuara me COVID-19, janë shumë herë më të rrezikuara të kenë lindje të parakohshme sesa ato që nuk janë të infektuara, përcjell Familja Jonë.

Tutje në postim, Pupovci-Latifi shprehet se COVID-19 gjithashtu mund të shkaktojë vdekje në shtatzëni ose edhe ta rrezikojë shtatzëninë, prandaj, sipas saj, vaksinimi është mbrojtja e vetme e sigurt ndaj këtyre problemeve potenciale.

Postimi i plotë:

“Shtatzënat e infektuara me virusin SARS-Cov-2 janë në rrezik të lartë per te zhvilluar formë të rëndë të sëmundjes. Ato po ashtu kanë rrezik të shtuar për dështime dhe lindje te parakohshme krahasuar me shtatzënat e painfektuara. Pra,

1. Covid-19 mund te merr jetën në shtatzëni

2. Covid-19 rrezikon shtatzëninë

3. Mbrojta e vetme, e sigurt nga Covid-19, është vaksina

Këtë duhet ta dinë shtatzënat, por edhe mjekët që punojnë nëpër QKMF, nëpër klinika private, nëpër spitale, në QKUK. Sepse, jo vetëm një herë, shumë herë më ka rënë të dëgjoj se mjeku/ja e ka udhëzuar shtatzënën që të mos vaksinohet!!!

Vaksina mbron dy jetëra. Shtatzëna, ju lutem vaksinohuni!”, shkroi ajo në Facebook.

Youtube

Arkiva

Kategoritë