Spitalet në Zvicër po mbushen me pacientë të prekur nga COVID-19 dhe sipas medieve vendase, shifrat tregojnë se një numër i madh i tyre janë të kthyer nga Ballkani.
Dhe në këtë drejtim, mediumi zviceran blick.ch ka sjellë disa mesazhe nga disa mjekë të ardhur po nga Ballkani, të cilët bëjnë thirrje për vaksinim, për bashkatdhetarët e tyre, përcjell Telegrafi.
Në këtë drejtim, përveçse në gjuhën portugeze dhe serbe, një mesazh ka ardhur edhe në gjuhën shqipe.
Bëhet fjalë për një mesazh të sjellë nga mjeku shqiptar, Florim Cuculi.
Ai, përmes një videomesazhi u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të vaksinohen.
“Ju lutem vaksinohuni! Të dashur bashkatdhetarë. Covid-19 është një sëmundje serioze dhe siç e dini të gjithë, pandemia ka vrarë tashmë 4.5 milionë njerëz në të gjithë botën”, ka thënë fillimisht Cuculi.
Ai më tej ka shtuar se “ne do ta mposhtim këtë virus vetëm nëse të gjithë bashkohemi. Vaksinimi është një mënyrë efektive për t’u kthyer në jetën normale. Vaksinimet, të miratuara në Zvicër, janë testuar në një proces serioz dhe mund të parandalojnë sëmundje serioze dhe vdekje. Për dallim nga vala e parë, virusi po godet gjithnjë e më shumë të rinj dhe shumë të rinj tashmë kanë vdekur”.
“Secili prej nesh është i lirë të mos vaksinohet. Por ju duhet të jeni të vetëdijshëm se kjo nuk ka të bëjë vetëm me lirinë individuale. Nëse vuani nga Covid-19, sëmundja nuk prek vetëm juve. Ju gjithashtu mund të infektoni të dashurit e juaj, te cilët mund të vdesin. Mirëpo, nëse vuani nga Covid-19 dhe jeni të shtruar në spital, ju e bllokoni një shtrat në njësinë e kujdesit intensiv për disa javë. Në atë kohë nuk mund të kryhen operacione të rëndësishme dhe pacientët të cilët, për shembull, vuajnë nga një tumor ose kanë nevojë për një operacion të madh të zemrës nuk mund të operohen”, ka tërhequr vërejtjen mjeku shqiptar.
“Më prek që shumë pacientë nga Kosova dhe Maqedonia janë shtruar në departamentet për pacientët me Covid-19 të spitaleve zvicerane. Ne mund ta parandalojmë këtë me vaksinim masiv. Të mundohemi të gjithë ta tejkalojmë këtë sfidë së bashku. Ju lutem vaksinohuni. Faleminderit”, ka thënë për fund Florim Cuculi.