Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Arsyet pse nuk duhet të përdorën antibiotikët për të luftuar virusin COVID-19, sipas mjekëve

Antibiotikët janë substanca kimike mjaft të rëndësishme për trajtimin e infeksioneve bakteriale, varësisht nga lloji i përdorur mund të jenë antibiotikë që mbysin tërësisht qelizat bakteriale përmes shkatërrimit të murit qelizor bakterial (antibiotikët baktericid) por edhe pamundësojnë rritjen dhe zhvillimin e baktereve duke bllokuar krijimin e proteinave të baktereve (antibiotikët bakterostatik).

Diskutime të shumta u bën në lidhje me atë se a duhet të përdorën antibiotikët, kundër virusit COVID-19.

Në një prononcim për portalin Familja Jonë, kryetari i shoqatës së infektologëve, Hamdi Ramadani, tha se duhet pasur kujdes tek pacientët të cilëve ju rekomandohet antibiotikët.

“Antibiotikët janë barna që nuk jepen dhe nuk rekomandohen tek çdo pacient, po ashtu ka mungesë të literaturës që lejon që antibiotikët të përdoren për një infeksion”, shprehet Ramadani.

Ai tutje thekson se, “është gabim i madh i atij personi që përdor antibiotikët, nëse është pozitiv me COVID-19”.

Sipas Ramadanit, antibiotiket jepen vetëm atëherë kur sëmundja COVID-19 është  ndërlikuar me ndonjë sëmundje tjetër.

“Antibiotikët jepen vetëm atëherë kur sëmundja COVID-19, është ndërlikuar me infeksion sekondar bakterore, që kjo vërtetohet me kontrolle mjekësore”.

Po ashtu, thotë se antibiotikët shkaktojnë dëme të imunologjisë.

“Çdo antibiotikë i dhënë dhe pa indikacione të çdo rast me sëmundje jep dëme dhe dëmtim imunologjie dhe ka efekte tejet negative për shëndetin dhe të sëmurin, nuk është vërtetuar se nuk ka ndërlikime bakterore apo infeksione sekondare bakterore, sepse vetëm në infeksione dytësore vepron pozitivisht”.

Violeta Grajçevci Uka, drejtoreshë e Pediatrisë në QKUK, tha për portalin “Familja Jonë” se antibiotikët nuk luajnë rol në parandalimin e COVID-19.

“Antibiotikët përdoren për trajtimin e infeksioneve bakteriale dhe jo infeksioneve virale prandaj antibiotikët nuk kanë rol në parandalimin dhe trajtimin e COVID-19”, potencoi ajo.

Ndërkaq, thekson se antibiotikët nuk mund të përdoren për trajtimin e COVID-19.

“Antibiotikët nuk përdoren për trajtimin e COVID-19, nëse një personit të infektuar me COVID-19 i janë përshkruar antibiotikë atëherë kjo ka ndodhur për shkak të ndonjë ko-infeksioni bakterial të mundshëm”.

Ashtu sikurse efektet pozitive, ky ilaç përfshin edhe efekte negative të cilat i sqaroi doktoresha, Violeta Grajçevci Uka.

“Efektet pozitive të antibiotikëve janë se ndihmojnë sistemin tonë imunitar në luftimin e infeksioneve bakteriale, parandalojnë paraqitjen e infeksioneve përpara operimeve, janë të lehta për tu përdorur dhe veprojnë shpejt në organizmin tonë, kurse tek efektet negative, munden të paraqiten vjellje, të përziera, diarre, reaksione alergjike. Problemi kryesor tek antibiotikët qëndron tek keqpërdorimi i panevojshëm i tyre, atëherë bakteret krijojnë rezistencë ose aftësi që të mbrohen nga antibiotiku, kur organizmi ynë ka nevojë për antibiotik ai nuk do të ketë efekt në shkatërrimin e baktereve”, thotë ajo.

Antibiotikët përmbajnë përbërës të ndryshëm që mund të prekin ndryshe. Prandaj, gjithmonë këshillohet që të shmangni vetë-mjekimin dhe t’i drejtoheni mjekut përpara se të merrni antibiotikë. Gjithashtu, në rast të ndonjë sëmundje, njoftoni mjekun tuaj që jeni duke u përpjekur të ngjizni, në mënyrë që të mund të përshkruajnë antibiotikë në përputhje me rrethanat.

Youtube

Arkiva

Kategoritë