4 gushti në të gjithë botën njihet si Dita Botërore e Binjakëve. Sikurse edhe nëpër vendet e tjera, edhe në Kosovë, kjo ditë nuk kalon pa aktivitete për nder të kësaj dite.
“Vështirësi, por më shumë kënaqësi”, ky do të ishte togfjalëshi ideal që do mund t’i përshkruante peripecitë e nënave në rritjen e fëmijëve binjakë.
Për të na treguar më shumë për sfidat dhe ndjesitë e të pasurit fëmijë binjakë, Familja Jonë kontaktoi me Arta Elezin – nënë e dy fëmijëve , Norikut dhe Neronit, të cilët tashmë kanë mbushur shtatë vjet. Ajo shprehet e mrekulluar që ka dy fëmijë binjakë, anipse, sipas saj, vështirësitë për rritjen e tyre nuk mungojnë
“Fëmijët jane vetë mrekullia, sidomos kur i ke dy binjakë. Në Kosovë është e vështirë të rrisësh fëmijë në cilëndo formë, e aq më tepër kur ke binjakë; vetë do kujdesesh, do mundohesh t’ia plotesosh kushtet”, shprehet Elezi për Familja Jonë.
Tutje, ajo flet në mënyrë specifike për sfidat që e përcollën atë si nënë në rritjen e dy binjakëve, sfida këto, që sikur për cdo nënë, konsiderohen “të ëmbla” kur bëhet fjalë për fëmijët e tyre.
“Vetë jeta me binjakë është sfidë e cila po aq sa është e bukur, është edhe sfiduese.
Nëse për një fëmijë ndan 10 minuta kohë, për binjakë duhet t’i ndash 20, nëse blen një palë rroba për një fëmijë, për binjakë duhet t’i do blesh dy. Po aq sa do mendosh ta qarrosesh veten në orë të vona me një kafe, papritmas fillon të zgjohet njëri nga binjakët dhe gjithçka në jetë të bëhet e paplanifikueshme”, shtoi tutje Elezi.
Elezi gjithashtu foli edhe për momentin kur e mori vesh se po priste t’i vinin në jetë dy binjakë, duke theksuar se ishte një ndjenjë e papërshkrueshme kur u bë i ditur një lajm i tillë.
“Pozitiv dhe i papërshkrueshëm ishte momenti kur gjinekologu me tha që jam shtatzënë dhe po pres, jo një, por dy bebe. Çdo moment i jetës sime është briliant kur i shoh si rriten dhe me rritjen e tyre e shoh botën akoma më shumë”.
E pyetur se sa janë të ngjashëm me karaktere dy binjakët, Elezi nuk heziton t’i tregojë veçantitë që i karakterizojnë të dy fëmijët, Neronin dhe Norikun.
“Dallojnë pak nga karakteri, njëri është më i dëgjueshëm e tolerant, ndërsa tjetri është më vendimtar dhe serioz. Njëri bën sherre, kurse tjetri ia mbulon. Ky fenomen është i çuditshëm se si arrijnë të kordinohen aq mirë mes vete”.
Sikurse secila kategori e shoqërisë, edhe nënat me fëmijë binjakë ose më shumë ndiejnë nevojën për përkrahje institucionale, edhe pse, sipas Elezit, kjo e fundit është vonuar paska. Sipas saj, një përkrahje në këtë aspekt do t’u ndihmonte jo pak nënave në rritjen e fëmijëve.