Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
ÇKA ËSHTË SKLEROZA MULTIPLE ?

Shkruar nga: Dr. Blerim MyftiuNeurolog

Skleroza multiple është një sëmundje kronike e cila e prek trurin dhe palcën e kurrizit (sistemin nervor qendror). Ajo konsiderohet të jetë sëmundje demielinizuese – d.m.th. mbështjellësi proteinik/lipidik i qelizës nervore e cila quhet mielinë dëmtohet dhe kësisoj krijon probleme në funksionimin e mirëfilltë të qelizës nervore. Shkaku i saktë i kësaj sëmundjeje nuk dihet dhe njohuritë e deritanishme sugjerojnë se në manifestimin e sklerozës multiple luajnë rol faktorët gjenetikë, autoimunë, proinflamatorë, viralë/infektivë dhe mjedisorë.

Sëmundja shfaqet zakonisht në moshën e re (prej 18-35 vjeçare) dhe nuk ekziston një simptomë karakteristike e cila ndërlidhet me këtë sëmundje. Në gati 40% të rasteve simptoma e parë e sëmundjes është humbja e të parit në njërin sy apo dobësimi i dallimit të ngjyrave – gjendje e cila njihet si neurit optik apo neurit retrobulbar. Marramendja, humbja e drejtpeshimit, mpirja e njërës gjysmë të trupit, paraliza e njërës gjysmë të trupit apo e këmbëve, vështirësitë në kontrollimin e urinës apo pamundësia e urinimit/zbrazjes së fshikës së urinës mund të jenë simptomat e tjera të sëmundjes. Duhet pasur parasysh se prania e këtyre simptomave për një kohë të gjatë (së paku 24 orë) dhe në masë sa të vërehet edhe me ekzaminimin neurologjik të jashtëm, janë veçori që duhen marrë parasysh.

Ecuria më e shpeshtë e sëmundje është ajo që emërtohet “relapsing-remitting” – simptomat paraqiten për një periudhë të caktuar kohore dhe me terapinë përkatëse tërhiqen. Periudha ndërmjet mund të jetë pa pengesa për pacientin deri në simptomat e tjera që mund të jenë të ndryshme (sulmi i ri). Distanca ndërmjet dy sulmeve klinike ndryshon prej disa javësh deri në disa muaj apo vite. Një pjesë më e vogël e pacientëve vuajnë nga forma “primare progresive” e cila nënkupton shtimin gradual të simptomave dhe shenjave përgjatë kohës, pa ndonjë periudhë të qartë regresi të tyre ndërmjet. Kurse, termi “sekondar progresiv” nënkupton përkeqësimin e simptomave në mënyrë graduale pas disa vitesh të ecurisë me sulme dhe përmirësime.

Sa u përket shkaktarëve të sëmundjes… studimet e mëdha gjenetike kanë dëshmuar se prania e një kombinimi të caktuar gjenetik (haplotipi) i bën personat përkatës më të prirë për zhvillimin e sëmundjes. Faktori autoimun nënkupton mosnjohjen e mbështjellësit të qelizës nervore nga ana e sistemit tonë imun si të tonin dhe krijimin e autoantitrupave ndaj tij duke e çuar atë në shkatërrim. Teoria infektive sugjeron se personi i caktuar bie në kontakt me një mikroorganizëm të caktuar në një periudhë të caktuar të jetës, më pas sistemi ynë imun zhvillon antitrupa ndaj këtij mikroorganizmi, por duke qenë se ai është i ngjashëm me mielinën, në këtë mes pëson edhe mielina. Paraqitja më e shpeshtë e sëmundjes në viset afër poleve, si në Skandinavi, ka çuar te mendimi se mungesa e vitaminës D mund të jetë një arsye shtesë për shfaqjen e kësaj sëmundjeje. /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë