Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Fillon zbulimi i identitetit të viktimave nga aksidenti në Kroaci

Ka nisur procesi i identifikimit të personave të cilët përfunduan me fatalitet në aksidentin e autobusit të linjës Frankfurt-Prishtinë, ndërsa pos policisë, lajmet për humbjen e më të dashurve të tyre po i publikojnë edhe vetë familjarët e viktimave.

Një nga ta ishte edhe një grua 37 vjeçe me inicialet A.I, e cila po udhëtonte në drejtim të Kosovës, bashkë me katër nga pesë fëmijët e saj, por që gjeti vdekjen nga aksidenti që pësoi autobusi transportues.

Familjarët e viktimës nga Peja, pas kumtimit të lajmit për vdekjen e saj.

Megjithatë fëmijët e gruas që vdiq kaluan pa lëndime ndërsa po marrin trajtimin mjekësor në një spital të Slavonski Brod-it, shkruan e përditshmja kroate “Jutarnji List”.

Pranë fëmijëve të viktimës kanë arritur për vizitë edhe babai si dhe gjyshi i tyre, teksa ky i fundit ka qarë derisa ka folur me emocione për të bijën e tij, tashmë të vdekur.

Në mesin e të vdekurve është edhe një person nga Podujeva, Sevdail Rrustemi.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar vëllai i gruas së tij, Fatmir Halimi, i cili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se bashkë me të udhëtonte edhe motra e tij me dy djemtë por që ata kanë shpëtuar.

Imazh i publikuar nga Fatmir Halimi në Facebook. Personi i hijezuar ka gjetur vdekjen nga aksidenti në Kroaci.

Në mëngjesin e të dielës si pasojë e një aksidenti të rëndë të një autobusi me udhëtarë nga Gjermania për në Kosovë, në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën 10 persona dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Ndryshe, në të gjitha institucionet, flamuri i Republikës së Kosovës është ulur në gjysmë shtizë në nderim të 10 personave të vdekur dhe dhjetëra të tjerëve të lënduar në aksidentin tragjik në Kroaci.

Ky ishte një vendim i Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, e cila të hënën e ka shpallur ditë zie. /Albanianpost.com

Youtube

Arkiva

Kategoritë