Deputetja shqiptare e parlamentit të Kroacisë, Ermina Lekaj-Përlaskaj, ka bërë të ditur se 17 persona të lënduar në aksidentit fatal që ndodhi fundjavën që lamë pas në Slavonski Brod, do të lirohen nga spitali.
Lekaj-Përlaskaj ka treguar se me anë të telefonit ka kontaktuar më të lënduarit për tu informuar më tepër rreth gjendjes së tyre, shkruan Klan Kosova.
”Për momentin gjendja e të lënduarve është stabile. Sot gjatë ditës, pritet që nga spitali të dalin 17 persona”, tha deputetja shqiptare.
Po ashtu, ajo ka thënë se një nga të lënduarit po merr trajtimin mjekësor në Zagreb, ndërsa një tjetër në Nova Gradishkë, ndërsa ka treguar ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla është duke qëndruar atje duke u kujdesur për procedurat e kthimit të kufomave në Kosovë.
”Mendoj që deri tani i kanë identifikuar të gjithë të vdekurit. Ndërkohë ministri i Brendshëm i Kosovës, është në Slavonski Brod, për të diskutuar se si ta bëjnë transportin e kufomave dhe transportin e udhëtarëve për në Kosovë, me një aeroplan”, ka thënë Ermina.
Në mesin e viktimave që ndërruan jetë si pasojë e autobusit që u aksidentua gjatë së dielës në Kroaci, janë edhe dy gra nga Komuna e Junikut.
Lajmin e ka konfirmuar vetë komuna, ndërsa kanë njoftuar se bëhet fjalë për dy gra, Leonora Gjota-Kolmekshaj dhe Gjyle Malokun.
“Komuna e Junikut përjetoi rënd ngjarjen e ndodhur në autostradën Sllavonski Brod në Kroaci, ku në aksidentin tragjik humbën jetën dhjetëra mërgimtar tanë, në mesin e tyre udhëtimi i fundit për në vendlindje tek familjarët që i prisnin ishte për bijën tonë Leonora Gjota-Kolmekshaj dhe nënën tonë Gjyle Maloku, bashkëqytetar të tjerë arritën të mbijetojnë për të cilët lutemi për shëndetin e tyre duke iu uruar shërim dhe të iu bashkohen familjeve në Kosovë sa më të shpejt”.
“Ngushëllime të gjithë familjarëve që humbën të dashurit e tyre dhe gëzimi i tyre për tu bashkuar u kthye në pikëllim e dhimbje. Ngushëllime familjes Gjota, Kolmekshaj dhe Maloku”, shkruan një postim i komunës në rrjete sociale. /Albanianpost.com