Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Pesë të vdekur e mbi 80 aksidente në vendin e punës këtë vit në Kosovë

Pesë persona kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës këtë vit në Kosovë si dhe kanë ndodhur 81 aksidente, ku prej tyre 45 janë kategorizuar si lëndime të rënda.

Të dhënat e Inspektoriatit të Punës flasin për të gjithë sektorët por në ndërtimtari situata paraqitet më e vështirë pasi lëndimet në këtë sektor janë më të shpeshta si pasojë e lartësisë në të cilën punojnë punëtorët.

Zëvendësinspektori i punës, Agim Millaku, ka thënë se siguria në punë në sektorin e ndërtimtarisë nuk është në nivelin e kërkuar, përkundër përpjekjeve që thotë se po i bëjnë vazhdimisht.

Vetëm këtë vit në këtë sektor kanë humbur jetën katër punëtorë si dhe kanë ndodhur dhjetëra aksidente si pasojë edhe e mosrespektimit të rregullave të punës që përfshin edhe vendosjen e pajisjeve mbrojtëse.

“Sivjet kemi pasur katër vdekje në vend të punës në ndërtimtari, dhe një e kemi pasur nga shpërthimi i bombolës në Ferizaj nëse iu kujtohet, kryesisht vdekjet në punë vijnë nga rëniet prej lartësisë edhe pse i kemi obliguar (kompanitë) t’i vendosin skelet, edhe pse i kemi obliguar t’i mbyllin hapësirat në të cilat punëtorët rrezikojnë jetën, kemi obliguar t’i mbajnë rripat e sigurisë por përsëri nuk po ia dalim t’i mbrojmë në tërësi punëtorët mos të bien prej lartësive por uroj të mbetet me këtë numër, mos të rritet numri i aksidenteve me pasoja fatale në të ardhmen”, tha Millaku.

Përpos rasteve fatale, zëvendësinspektori i punës thotë se në të gjithë sektorët këtë vit janë shënuar edhe 81 aksidente të tjera në vendin e punës. 36 prej tyre konsiderohen si lëndime të lehta dhe kjo pasi punëtori është paraqitur në punë brenda tri ditësh, ndërsa 45 lëndime të tjera janë kategorizuar si të rënda.

“Kemi pasur gjatë kësaj periudhe 36 lëndime të lehta, i quajmë të lehta sepse trajtimi i tyre nuk kanë marrë më shumë se tri ditë pushim për rastin aksidental do të thotë kanë raportuar brenda tri ditëve dhe janë kthyer në vendin e punës. Kurse 45 lëndime kanë qenë të rënda, përjashtuar këtyre katër, nëse i bashkojmë të gjitha janë dikun 85 aksidente që po ndodhin”, theksoi ai.

Millaku, u shpreh se, “Por nuk janë krejt në ndërtimtari i kemi të ndara kështu në sektorë por në të gjitha lemitë që i ndjekim edhe kemi pasur një numër bukur të madh të aksidenteve nga shpërthimi i bombolës në Ferizaj, kemi pasur në kohët e fundit edhe në prodhim, kemi pasur edhe në tregti”.

“Por kryesisht janë në ndërtimtari, po mundohemi maksimalisht me qenë prezent te punëdhënësit, të kryejmë një punë tonën fisnike në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit me qëllimin që ky numër të reduktohet maksimalisht në mos të zhduket fare, bile të paktën ta reduktojmë për aq sa mundet që këto raste me qenë me numër sa më të vogël”, potencoi ai.

Millaku tregon se mosha mesatare e të aksidentuarve në vendin e punës është 40-vjeç, Ai kërkon nga punëdhënësit që të respektojnë rregullat dhe punëtorët të binden se pajisjet e sigurisë janë për të shpëtuar jetën e tyre.

Sipas legjislacionit aktual, Inspektorati i Punë mund të gjobisë deri në 25 mijë euro kompanitë, por Millaku thotë se duhet të shteren të gjitha mënyrat për të parandaluar aksidentet në vendin e punës.

“Gjobat janë të përcaktuara me ligj, si shuma mund të sillen, gjobat mund të jenë edhe më të lehta pavarësisht prej rastit që inspektori e çmon në vendin ku ka ndodh problemi e deri tek gjobat më të rënda deri në 25 mijë euro”, tha ai.

Millaku shtoi se, “ky mjet nuk është shembull që e vetëdijëson nëse veç ka ndodh rasti problematika, është si ta parandalojmë, jo pasi të ndodh, se pasi të zhvillohen procedura të tjera që janë të rënda për punëdhënësit por edhe për ata që kanë pësuar lëndime, sepse zhvillohet edhe procedura civile për të lënduarit në vend të punës, por edhe procedura penale për mos marrjen e masave adekuate karshi rregullave të përcaktuara ligjore edhe në procedurën administrative për inspektorin e punës në vend të ngjarjes”, tha ai.

Tutje ai u shpreh, “Këshilla ime kish me qenë mos ta presim pasi të ndodhë por të veprojmë para se të ndodhë, të gjithë të bëhemi bashkë dhe ta zbusim këtë situatë sa kemi mundësi”, tha Millaku.

Zëvendësinspektori i punës në këtë intervistë theksoi edhe rëndësinë e trajnimit të punëtorëve, sidomos atyre me të rinj në moshë, për rëndësinë e sigurisë në punë. /KP/

Youtube

Arkiva

Kategoritë