Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se prej fillimit të vaksinimit në gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 75.553 doza të vaksinës, ndërkaq vetëm në 24 orët e fundit janë dhënë 2.915 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Javën që lamë pas, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bëri të ditur se deri në fund të këtij viti, Kosova do të pranojë 1. 2 milion doza të vaksinës kundër coronavirusit nga kompania Pfizer, pas arritjes së marrëveshjes me këtë kompani.
Ministria e Shëndetësisë, tha se ky proces ka hyrë në një dinamikë të re dhe se është duke u rritur intensiteti, duke theksuar se më 15 qershor pritet të fillojë zbatimi i Planit të Veprimit për vaksinimin në masë, për çka janë duke u bërë përgatitjet në Prishtinë dhe në të gjitha komunat e Kosovës.
Telegrafi një ditë më parë ka kontaktuar me këshilltarin politikë të ministrit Vitia, Sami Uka rreth asaj se kur pritet që të arrij kontingjenti i parë i këtyre vaksinave në Kosovë, mirëpo i njëjtit nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë.
“Të gjitha këto janë detaje që do të publikohen në përputhje me kontratën e nënshkruar me prodhuesin në momentin e caktuar”, tha Uka.
Kosova javë më parë ka pranuar një kontingjent prej mbi 100 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer nga COVAX-i. Aktualisht, po vaksinohen personat nga mosha 65 deri në 79 vjeç, pasi u vaksinuan personat mbi 80 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe personeli shëndetësor.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka thënë se synon që deri në fund të vitit, të vaksinojë 60 për qind të popullatës së saj.
Kujtojmë se javëve të fundit në vend ka pasur rënie të numrit të rasteve të reja me coronavirus, e po ashtu edhe i rasteve të vdekjes.