Ministri i shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se situata epidemiologjike është përmirësuar në javët e fundit dhe se deri në fund të vitit do t’i sigurojnë 2 milionë vaksina antiCOVID-19.
Vitia këtë e bëri të ditur gjatë raportimit të tij, në Komisionin për Shëndetësi, ku ndër të tjera tha se nga IKShPK kanë bërë të ditur se edhe numri i rasteve të vdekjeve dhe të infektuarve është ulur.
“Sa i përket situatës epidemiologjike është përmirësuar ndjeshëm javët e fundit. Të dhënat në IKShPK tregojnë se numri i rasteve të vdekjeve ka një ulje prej 60 për qind…”, ka thënë Vitia.
Ministri po ashtu tha se vaksinimi kundër COVID-19 ishte kryefjala e angazhimeve të tyre për t’i siguruar ato.
Ai gjithashtu është ankuar se nga Qeveria Hoti nuk kanë pranuar kontakt me prodhuesit e vaksinave në momentin kur kanë marrë detyrën, ku bëri me dije se 2 milion doza të vaksinave do t’i kenë deri në fund të vitit.
“Vaksinimi kundër COVID-19 ishte kryefjala e angazhimeve tona për të siguruar vaksinat. Plani nacional për vaksinim veçse ka filluar, dhe në javët e para kemi zbatuar planin nacional ekzistues. Në momentin e ardhjes në detyrë nuk kemi pas kontakt me prodhuesit e vaksinave, por ato i kemi bërë gjatë punës tonë. 2 milion doza do t’i kemi deri në fund të vitit, për vaksinimin e 60 për qind të popullatës. Procesi i vaksinimit po vazhdon në përputhje me të gjitha ekipet tona. Nga 89 ekipe, do të rritet me 190 ekipe shtesë”, tha ndër të tjera ministria Vitia.