Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Dita Botërore e Mjekësisë Urgjente – Të punuarit në kushte pandemie

Sot, në mbarë botën, shënohet Dita Botërore e Mjekësisë Urgjente e cila ju dedikohet në vecanti stafit shëndetësor që punojnë në emergjencë.

Cenueshmëria e shëndetit të vetvetes lidhet drejtpërdrejt me rreziqet shëndetësore drejt të cilave kanosemi, prandaj kjo gjë ka qenë një përditshmëri për stafin e Mjekësisë Emergjente të cilët, në situatat më të shpeshta, veçmas në kohën e pandemisë, janë gjithnjë të ekspozuar ndaj virusëve, ndër ta edhe ndaj COVID-19.

Të punuarit në këto kushte, përvec një kujdesi të vecantë për pacientët dhe veten, kërkon një profesionalizëm dhe mobilizim të pashoq që cdo rast të trajtohet në mënyrën sa më të mirë.

Se puna në Mjekësinë Emergjente kërkon angazhim dhe rrjetëzim bashkëpunimi në mes institucioneve shëndetësore, e thotë edhe drejtori Qendrës së Mjekësisë Emergjente në Prishtinë, dr. Avdyl Pacolli. Në një intervistë të dhënë për portalin Familja Jonë, Pacolli tregon për mënyrën e organizmit dhe sfidat që kanë kaluar, ai dhe i gjithë stafi shëndetësor i Mjekësisë Urgjente në Prishtinë.

“Kemi qenë në vijën e parë të frontit në kryqytet dhe në rrethinë të kryeqytetit, pra i kemi marrë të gjithë pacientët të cilët janë lajmëruar për ndihmë në Prishtinë dhe në rrethinë të saj. Kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Ministrinë e Shëndetësisë, me qendrat operative të IKShPK-së dhe, normalisht, me Drejtorinë e Shëndetësisë në komunën e Prishtinës. Pandemia kaqenë dicka e panjohur për ne, ashtu si dhe për rajonin dhe botën, prandaj, mbi bazë të kësaj, po besoj se në kryeqytet nuk ka pasur asnjë qytetar që ka kërkuar trajtim shëndetësor për COVID-19 dhe jo vetëm e që nuk i është ofruar ndihmë”,theksoi ai për Familja Jonë.

Pacolli tutje ndalet edhe te sfidat që ka pasur Qendra e Mjekësisë Urgjente, duke i përmendur kështu dilemat e para se si duhet të ruhemi kundër COVID-19. Gjithsesi, ai nënvizon që Mjekësia Urgjente në Prishtinë ka qenë e mobilizuar qysh prej ditës së parë të pandemisë.

“Ne kemi qenë të mobilizuar fort qysh prej shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, më 13 mars 2020. Kemi qenë të përkrahur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e Shëndetësisë së komunës së Prishtinës, kështu që besoj se kemi arritur të jemi maksimalisht në shërbim të qytetarëve. Është e vërtetë që, duke mos njohur problemin me COVID-19, kemi pasur dilemat tona rreth asaj se si duhet të mbrohemi edhe përkundër rekomandimeve nga IKShPK. Besoj se, përkundër dilemave që kanë pasur qytetarët në përgjithësi, ia kemi dalë mjaft mirë”, shtoi tutje Pacolli.

Gjatë tërë kësaj pune me pacientë, nuk kanë munguar as rastet e infektimeve të stafit shëndetësor. Pacolli thekson se, deri më tani, 66 persona nga stafi shëndetësor i Qendrës së Mjekësisë Emergjente kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, ndërsa një nga ta ka pësuar me fatalitet.

Pacolli për fund bën apel që të vazhdohet me respektimin e masave kundër COVID-19, përkundër që rastet kanë filluar të bien. /familjajone

Youtube

Arkiva

Kategoritë