Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Në tre mujorin e parë të këtij viti, Kosova më së paku vdekje nga Covid-19 në rajon

Të dhënat për tre muajt e parë të këtij viti mbi infektimet dhe numrin e të vdekurve në shtetet fqinje të rajonit, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi, tregojnë se të gjitha vendet u përballën me nivele të larta infektimesh e vdekjesh.

Megjithatë, duke bërë krahasimet mes tyre bazuar në numrin e banorëve, del se Kosova ka pasur situatë më të mirë, ndonëse brenda tre muajve janë regjistruar 539 persona të vdekur dhe janë infektuar 43,252 qytetarë.

Hulumtimi nxjerr të dhëna të cilat tregojnë se zona në përgjithësi, u përball me raste të shumta të sëmundjeve e edhe të vdekjeve.

Nga 1 janari 2021 deri më 31 mars, del se në Kosovë që ka pak më shumë se 1.8 milion banorë, sipas Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka pasur 43,252 persona të infektuar me COVID19. Raste të vdekjeve janë shënuar 539, ndërsa 39,146 qytetarë janë shëruar.

Testimet, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK), janë kryer nga Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare në IKShP dhe laboratoret publike e private duke përdorur metodën RAT.

Gjatë muajit janar, sipas raporteve ditore që bëhen publike nga IKSHPK del se janë infektuar 8,890 persona, 163 kanë vdekur, ndërsa 11,030 raste janë shëruar nga COVID19.

Në muajin shkurt 9,012 raste kanë rezultuar pozitive, rastet e vdekjes kanë qenë më të pakta se në janar, 103 persona kanë humbur betejën me COVID19, ndërsa 7,412 persona del të jenë shëruar nga virusi.

Raportet për muajin mars tregojnë gjendje edhe më të rënduar se dy muajt paraprak. Ky muaj rezultoi me 15,057 raste pozitive, 273 vdekje, porse edhe numri i të shëruarve ishte më i lartë – 20,908 të tillë.

Numri më i madh i rasteve pozitive gjatë këtyre tre muajve në Kosovë është shënuar më 31 mars, kur kishte 923 raste pozitive. Po në këtë ditë, 14 persona kishin vdekur ndërsa ishin shëruar 771 qytetarë.

Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID 19, nga njohës të fushës, u konsiderua pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave dhe mosrespektimit të tyre.

Qeveria Kurti, e ardhur në pushtet me 22 mars 2021, me nguti vendosi disa masa kufizuese, me shpresën për të ndaluar hovin masiv të infektimeve. Ajo ndaloi qarkullimin e qytetarëve nga ora dhjetë e mbrëmjes deri në pesë të mëngjesit, përveç në rastet emergjente. Ndaloi aktivitetet e gastronomisë, përveç shërbimit “merr me veti”, si dhe ktheu mbarëvajtjen e mësimit në formën online për ciklin parauniversitar nga 12 deri më 18 prill dhe ato universitare nga 6 deri më 18 prill.

Edhe shtetet e rajonit, gjatë kësaj periudhe kohore, patën numra të lartë të të infektuarve me COVID19. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë nga vendet e rajonit, për numër të të infektuarve prinë Serbia. Kjo edhe nga fakti se shtetit fqinj verior i Kosovës, ka edhe numrin më të madh të popullsisë.

Shqipëria, në bazë të regjistrimit të fundit ka mbi 2.8 milionë banorë. Këta tre muaj të hulumtimit mbi numrin e të prekurve me COVID19, nxjerrin të dhëna të larta të rasteve të vdekjeve dhe të infektuarve me koronavirus. Nëntëdhjetë ditët e para të vitit 2021, rezultuan me 1,056 jetë të humbura nga COVID19, dhe 65,215 persona të infektuar.

Gjatë muajit janar del të jenë infektuar 20,459 persona dhe kanë ndërruar jetë 206 qytetarë. Në muajin shkurt janë infektuar 29,956 persona, porse është duplifikuar numri i personave që kanë vdekur, më saktësisht 461 qytetarë nuk i mbijetuan infektimit me COVID19. Muaji i tretë i të dhënave, tregon se janë infektuar 14,800 persona, nga të cilët 389 nuk ia dolën mbanë me virusin.

Të dhënat botërore tregojnë se sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, i bërë në vitin 2020, në Serbi janë mbi 8.7 milionë banorë. Në këtë shtet, përgjatë tre muajve me COVID19 janë infektuar 277,333 persona ndërsa kanë vdekur 2,152 qytetarë. Në Serbi gjatë muajit janar janë infektuar 55,176 persona dhe kanë vdekur 728 persona.

Në muajin shkurt janë infektuar 74,069 qytetarë, ndërsa numri i të vdekurve ka rënë dukshëm në krahasim me muajin janar duke u përmbyllur me 450 raste fatale. Ndërsa gjatë muajit mars kishte 148,088 persona të infektuar dhe më shumë se dyfishim të numrit të rasteve të vdekjes me plotë 974 persona që nuk i mbijetuan infektimit.

Maqedonia e Veriut që ka pak më shumë se 2 milionë banorë, gjatë 90 ditëve të para të këtij viti ka humbur 1,462 qytetarë me COVID19, ndërsa të infektuar kanë qenë 51,938 persona.

Në muajin janar janë infektuar 11,823 persona e kanë vdekur 431 prej tyre. Afërsisht numër i njëjtë i të infektuarve doli të jetë edhe gjatë muajit shkurt, kur ishin regjistruar 11,297 persona me COVID19, ndërsa kishte rënie të të vdekurve, që sipas të dhënave zyrtare, 278 persona nuk i mbijetuan sëmundjes.

Në muajin mars, në këtë shtet shënohet rekord i rasteve të të infektuarve dhe gjithashtu edhe i rasteve fatale që pësuan nga coronavirus. Të infektuar ishin 28,818 persona ndërsa gjatë 30 ditëve të marsit në Maqedoninë e Veriut vdiqën 753 qytetarë.

Mali i Zi është shteti me popullsinë më të vogël në rajon. Në këtë shtet, sipas të dhënave zyrtare jetojnë 628 mijë banorë. Tremujorëshi i parë 2021 sa i takon të prekurve dhe vdekjeve me COVID19 del të jetë kësisoj:

Në Mal të Zi vdiqën 648 ndërsa 44,939 persona ishin infektuar përgjatë 90 ditëve. Janari u përmbyllë me 16,200 persona të infektuar dhe 161 të vdekur. Në muajin shkurt u infektuan 14,860 persona e nga ta 213 nuk e përballuan sëmundjen. Edhe muaji mars rezultoi me shifra të përafërta të të infektuarve por rritje e numrit të të vdekurve, kohë kjo kur pati 13,879 persona të sëmurë nga të cilët 274 përfunduan fatalisht.

Nga të dhënat zyrtare të paraqitura për secilin nga shtetet e përfshira në hulumtim dhe duke bërë krahasimet mes këtyre shteteve të rajonit në bazë të numrit të popullsisë, rezulton se Mali i Zi ka pasur vdekshmërinë më të lartë nga COVID19 e gjithashtu edhe numrin më të madh të të infektuarve. Me vetëm 628 mijë banorë, brenda nëntëdhjetë ditëve në Mal të Zi kanë vdekur 648 persona e janë infektuar 44,939 tjerë, apo afër 8 për qind e gjithë popullsisë. Ndonëse ka trefish më pak banorë se Kosova, Mali i Zi brenda 90 ditëve të parë të këtij viti, ka pasur rreth 1,700 të infektuar më shumë se Kosova dhe 109 persona më shumë që nuk ia kanë dalë mbanë me coronavirusin.

Shqipëria që ka mbi 2.8 milionë banorë apo rreth një milion më shumë se Kosova, brenda kësaj periudhe që përfshinë hulumtimi, ka shënuar 65,215 të infektuar, apo rreth 22 mijë më shumë se Kosova, dhe ka pasur 1,056 vdekje, apo rreth dyfishin e vdekjeve që kanë ndodhur në Kosovë për periudhën e njëjtë kohore.

Maqedonia e Veriut, që ka afër dy milionë banorë, ka pasur 51,938 raste të të infektuarve, apo brenda 90 ditëve, rreth 3 mijë më shumë se Kosova. Megjithatë, drastikisht gjendja ndërron te rastet e vdekjeve. Maqedonia e Veriut gjatë këtij cikli kohor regjistroi 1,462 vdekje, apo afërsisht trefishin e numrit të vdekjeve që kishte Kosova (539).

Serbia ka 8.7 milionë banorë, apo mbi katërfish më shumë se Kosova. Niveli i infektimeve në këtë shtet, ishte shumë më i lartë se në Kosovë. Plotë 277,333 qytetarë dolën pozitiv me COVID19 në periudhën e parë të tremujorëshit të këtij viti. Krahasuar me Kosovën me 43,252 raste infektimi nga 1.8 milion banorë, dhe popullsi katërfish më të madhe, i bie që në shtetin fqinj për kokë banori të ketë pasur mbi 100 mijë infektime më shumë. Ndryshe, rastet e vdekjes ky shtet, gjithmonë duke bërë krahasimin për nga numri i popullsisë, del t’i ketë të përafërta me Kosovën. Nëntëdhjetë ditëshi i parë i këtij viti, në Serbi u përmbyll me 2,152 vdekje me COVID19.

Tash në këtë kohë, në gjithë rajonin rastet e infektimeve dhe të vdekjeve me COVID19, janë në rënie, ndërsa procesi i vaksinimit po vijon. Kosova, megjithatë është shteti që ka ngec ndjeshëm në procesin e vaksinimit në krahasim me vendet tjera.

Thirrjet dhe rekomandimet e mekanizmave shëndetësor global mbesin të njëjta:

Mbuloni hundën dhe gojën me maskë!

Mbani higjienën!

Respektoni distancën, masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike.

Youtube

Arkiva

Kategoritë