Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Dita e Ndërkombëtare e Infermierëve –Sfidat e tyre, pos pandemisë

Shkruar nga Fisnik Dajakaj

Heronjtë e luftës kundër COVID-19 ende vazhdojnë të punojnë në kushte jo të mira. Puna e tyre e palodhshme, veçmas në vitin e fundit në luftë kundër pandemisë, nuk ka rezultuar në përmirësimin e kushteve të kërkuara nga ta.

Personeli i kufizuar infermieror dhe  rritja e  pagesave të ndërrimit të natës ishin vetëm dy nga çështjet që u ngritën infermierët, por këto probleme ende janë pa zgjidhje. Puna vazhdon të kryhet me zell, përkundër problemeve që vazhdojnë të gëlojnë mbi supet e tyre.

Ishte infermieri Enlirat Duraku i cili e filloi një grevë urie në nëntor të vitit të kaluar, e cila zgjati 26 ditë, por ky veprim nuk rezultoi me përmbushjen e pritshmërive që kishte ky i fundit. Pagesat nuk u rritën dhe problemi në fjalë mbeti pezull.

Së fundi, Duraku e filloi përsëri një grevë urie të cilën është duke e vazhduar ende dhe se, siç thotë, nuk do ta përfundojë deri sa të realizohen kërkesat për të cilat është futur në grevë.

Ai për portalin “Familja Jonë” tregon disa nga problemet me të cilat ballafaqohen vazhdimisht infemierët, duke i përmendur kështu numrin e vogël të infermierëve nëpër klinika, kërcënimet në vendin e punës dhe pagesat.

“Disa nga problemet që hasim ne gjatë punës si infermierë janë: personeli jo i mjaftueshëm, dhuna në vendin e punës dhe pagesa e ulët”, theksoi ai.

Sipas Durakut, çdo infermier ka nevojë që të rregullohet me ligj statusi i tij/saj socio-ekonomik, në mënyrë që familja e tij/saj të jetë më e sigurt.

“Infermieri ka nevojë për rregullim me ligj të statusit socio-ekonomik, në mënyrë që, sadopak, ne dhe familjet tona të ndihemi të sigurt financiarisht ndërsa fokusin ta zhvendosim në dhënien e kujdesit maksimal cilësor me ç’rast do rritej edhe përgjësia në punë”, përfundoi ai

Se problemet për infermierët janë të shumta dhe shumica e tyre akoma të pazgjidhura, e thotë edhe Egzon Seferi, infermier në Klinikën e Pulmologjisë. Ai ndër të tjera përmend ushqimin e ofruar në këtë klinikë, duke thënë se shumicën e kohës infermierët ushqimin e hanë nëpër korridore, për shkak se kuzhina mbyllet herët.

“Servirët e mbyllin kuzhinën me arsyen se shefi i tyre ka dhënë urdhër, ndërsa ne infermierët bukën e hamë në ambulantë specialistike, pasi e dimë që pauzë nuk kemi për shkak të COVID-19. Ushqimin e hamë në korridore, aty ku sillen pacientë edhe familjarë me sëmundje të ndryshme”, theksoi ai.

Seferi ndalet gjithashtu edhe te problemet e tjera në të cilat ai dhe kolegët e tjerë infermierë ballafaqohen çdo ditë.

“Klinikat tjera nuk e di si e kanë , por ne, Pulmologjia, gati një vit një infermier i ka mbajtur 2 reparte edhe pranimin, d.m.th 30 pacientë dhe pranimin, në mungesë të stafit infermieror. Me gjithë stresin dhe angazhimin e madh, në mungesë të gjërave primare, ia kemi dalë mbanë. Ende kemi mungesë të stafit infermieror.  Ankesa  jonë më e madhe është stafi i mangët infermieror ,ende jemi një infermier në një repart ,për shembull unë jam vetëm në repartin B, i kam 18 pacientë. Pastaj, ne jemi cdo ditë të kërcënuar ,e keni rastin para 2 javë kur janë sulmuar fizikisht doktori dhe infermierja”, përfundoi ai.

Çështjet ende të pazgjidhura, të ngritura nga infermierët, ende vazhdojnë të qëndrojnë në sirtarët e pritjes, pasi zgjidhja e tyre vazhdon të vonojë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë