Infermierët janë heronjtë e këtyre kohëve përballë krizës së shkaktuar nga COVID-19.
Në të gjithë botën ata janë duke u përballur me mbingarkesë të punës dhe një situatë aspak të zakontë.
Dhe sot është dita e tyre: 12 maji është Dita Ndërkombëtare e Infermierëve, e cila përkujton ditëlindjen e Florence Nightingale, infermierja e parë profesioniste.
Nightingale u bë e njohur gjatë Luftës së Krimesë, teksa trajtonte ushtarët që vdisnin më shumë nga infeksionet sesa nga plagët e fushës së betejës.
Ajo u bë e njohur si “Zonja me Llambë”, pasi punonte gjatë të gjithë natës.
“Idetë e saj lidhur me dhembshurinë, për një kujdes më të mirë shëndetësor, kujdesi jo vetëm për ushtarët, por edhe gratë e tyre dhe familjet, kjo me të vërtetë vërtet solli ndryshimin”, thotë David Green, drejtor i muzeut të Flornece Nightingale.
Një muze në Londër paraqiti uniformën e saj të shekullit të 19-të si dhe artefakte të tjera. Nightingale përdori përvojën në Krime për të përmirësuar kushtet shëndetësore në Britani.
“Parimet mbeten të njëjta si ato të 200 viteve më parë, të cilat janë që duhet të lani duart dhe duhet të siguroheni që mjedisi ku punoni te jetë i pastër dhe i rregullt, dhe ajo çka është me rëndësi është hapësira midis pacientëve dhe nevoja për ajrosje brenda zonave klinike”, thotë Eileen Sills, kryeinfermiere te spitali “Guys and St Thomas’ NHS Foundation Trust”.
Emri i Nightingale është shënuar në shumë spitale përfshirë, dhe në spitalet e urgjencës të ndërtuara në MB për të përballuar krizën COVID-19.
Në Kosovë, Dita e Infermierëve manifestohej me aktivitete të ndryshme viteve të kaluara, mirëpo situata e shkaktuar nga COVID-19 ka bërë që kjo ditë të mos pritet si zakonisht.