Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri si në burra dhe në gra. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Para përdorimit masiv të duhanit, kanceri i mushkërive ka qenë i rrallë. Aktualisht, duhanpirja shkakton 9 nga 10 vdekje nga kanceri i pulmonit, ndërkohë radoni, ndotja e ajrit dhe faktorë të tjerë, luajnë një rol të rëndësishëm por të shprehur në më pak raste.
Edhe pse së fundmi shumë zbulime në lidhje me trajtimin dhe diagnostikimin në kohë të kancerit të mushkërive kanë sjellë shpresë, situata përsëri mbetet ende e vështirë për pjesën më të madhe të personave me këtë sëmundje.
A mund të diagnostikohet kanceri i mushkërive në kohë?
Diagnostikim në kohë do të thotë identifikimi i sëmundjes në fazat e saj të hershme, para shfaqjes së simptomave, në kohën kur ende është e mundur që sëmundja të trajtohet me sukses. Depistimi i kancerit të mushkërive ka të bëjë me ekzaminimin e individëve të shëndetshëm por të cilët bëjnë pjesë në grupin e riskut për të zhvilluar kancer të mushkërive. Për depistimin e kancerit të mushkërive është testuar ekzaminimi CT me dozim të ulët, i cili ka treguar se mund të ul numrin e vdekjeve nga kanceri i pulmonit duke minimizuar ekspozimin ndaj riskut të rrezatimit.
Kush duhet të depistohet për kancer të mushkërive?
Mund të jeni në grupin e individëve që kanë nevojë për depistim të kancerit të mushkërive në rast se:
- Jeni 55-77 vjeç
- Jeni një duhanpirës ose të keni më pak se 15 vite qe keni ndërprerë duhanin
- Keni 30 vit-paketa ose më shumë që jeni duhanpirës (Vit-paketa përcakton numrin e cigareve që një individ ka konsumuar gjatë jetës së tij, ku 1 vit-paketë është e barabartë me 1 paketë në ditë për 1 vit.)
- Nuk keni simptoma të lidhura me kancerin e mushkërive
- Nuk keni kryer një ekzamimin CT (skaner) në 12 muajtë e fundit
Çfarë benefitesh ka depistimi i kancerit te mushkërive?
Studimet kanë treguar se skanimi (CT) me dozë të reduktuar të rrezatimit redukton vdekjet nga kanceri i mushkërive në personat me risk të lartë për zhvillim të kësaj sëmundje, duke mundësuar diagnostikimin në kohë të sëmundjes.
Cilat janë risqet e depistimit?
Skaneri (CT) me dozim të ulët identifikon noduse të vegjël në rreth 25% të personave që kryejnë ekzaminimin. Megjithatë, vetëm 3-4 nga 100 noduse të ekzaminuar rezultojnë të jenë kancer i mushkërive. Pjesa tjetër, rezultojnë ndryshime indore që nuk rëndojnë shëndetin e personave që i kanë ato.
Problemi qëndron se është e pamundur të identifikohen vetëm ata noduse që mund të jenë kancer i mushkërisë, pa kryerjen e testeve të mëtejshme konfirmuese. Këto teste mund të jenë kontrolle të herëpashershme me CT skaner por shpesh lind nevoja për kryerjen e biopsisë se këtyre noduseve.
Ndaj shpesh ndodh që shumë njerëz të kryejnë një sërë testesh për shkak të rezultateve të ekzaminimit depistues pa patur në fakt kancer të mushkërive. Kryerja e këtyre testesve për këta persona është shpesh dhe një ngarkesë e rëndë emocionale për pasigurinë që mbart rezultati i tyre.
Skanimi (CT) në depistimin e kancerit të pulmonit kryhet me doza të ulëta rrezatimi (5 herë më të pak se CT standard), ndaj efektet anësore si pasojë e rrezatimit janë shumë të ulëta krahasimisht me përfitimet që mund të sjellë. Megjithatë, pikërisht për shkak të këtij rrezatimi të ulët, shpesh është i vështire identifikimi i sakte i natyrës së noduseve në mushkëri.
A mund të parandalohet kanceri i mushkërive?
Nëse jeni duhanpirës, nuk është asnjëherë vonë për të lënë duhanin. Studimet kanë treguar se mos pirja e duhanit, jo vetëm parandalon zhvillimin e kancerit të mushkërive por lenia e duhanit është e rëndësishme edhe në personat e diagnostikuar tashmë me kancer të mushkërive, duke përmirësuar efektet e trajtimit. /Familja Jonë