Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Bie numri i të infektuarve në Gjilan/ Për një muaj 715 raste më pak

Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Gjilan, ka mbajtur sot takimin e radhës të udhëhequr nga nënkryetari, Arbër Ismajli, për vlerësimin e situatës për dy ditët e fundit.

Gjatë adresimit para gazetarëve, drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan, dr. Ajhane Sefiu, ka thënë se brenda muajit ka rënie të madhe të infeksionit me COVID-19 në këtë komunë.

“Më 4 prill kanë qenë 840 raste aktive, derisa sot i kemi 125 raste. Kemi një rënie të dukshme dhe po shpresojmë që së shpejti të kemi zero raste”, tha Sefiu.

Gjatë konferencës kanë adresuar mesazhet e tyre të parandalimit të përhapjes së këtij virusi edhe drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, dr. Ukshin Ismaili, drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, sikurse edhe drejtoresha e QKMF’së, dr. Arbenita Hajdari.

Ndërkohë, gjatë kësaj konference për media, nënkryetari Ismajli ka mohuar disa zëra kinse për ata që e kanë kaluar covid-19 do të ketë mbështetje financiare.

“Ky propozim ka ardhur nga opozita në Kuvend dhe është mbështetur edhe nga partitë e koalicionit. Por, deri sot i kemi 6336 qytetarë që e kanë kaluar virusin dhe është e pamundur që të ketë mbështetje financiare pasi kostoja do ta kalonte shumën 1 milion euro. Pra, nuk është i vërtet pohimi i dikujt”, tha Ismajli.

Ndryshe, pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 20740 mostra, 6336 kanë rezultuar pozitivë, 6069 janë shëruar, 142 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 125 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 29 dhe 100 mostra në pritje për rezultat.

Youtube

Arkiva

Kategoritë