Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Dita Botërore e Librit – A po lexohet mjaftueshëm?

Ndonëse shija lidhet me preferencat individuale, krijimi i një hapësire për të diskutuar për librat dhe përmbajtjet e tyre është gjithnjë i nevojshëm për lexuesit. Sugjerimet dhe rekomandimet që vijnë nga të tjerët për leximin e librave të ndryshëm, përveç një diskutimi cilësor, ndikojnë edhe në nxitjen e mëtejme të dëshirës për të lexuar.

Këtë hapësirë po e mundëson grupi, tashmë i popullarizuar në Facebook, “Maniakë t’leximit”, i cili vazhdon ta promovojë leximin si vlerë përmes diskutimeve të zhvilluara aty. Kur jemi në Ditën Botërore të Librit, është pikërisht libri pika e bashkimit në mes të të gjithë anëtarëve të grupit.

I kontaktuar nga Familja Jonë, njëri ndër administratorët e këtij grupi, Zgjim Sherifi, tregon se kur u krijua grupi dhe sfidat që kanë hasur ai dhe bashkëpuntorët e tjerë administratorë.

“Grupi “Maniakë t’Leximit” ekziston që nga viti 2015. I krijuar nga disa lexues të pasionuar, grupi kishte dhe ka si qëllim që të rrisë sa më shumë vetëdijen mbi leximin. Madje, kjo ka qenë edhe fillesa e grupeve të ndryshme të Maniakëve, por ,meqenëse unë nuk jam themelues i grupeve, në këtë rast po flas si administrator i ri. Sfidat e grupit në fillim kanë qenë  të natyrës së njohjes së grupit nga njerëzit, sepse ka qenë hera e parë që po formoheshin grupe të tilla ne Kosovë. Fillimi ka qenë me pak njerëz në grup, kurse tani grupi numëron rreth 38 mijë anëtarë”, theksoi ai për Familja Jonë.

Në një mjedis të tillë virtual, ku leximi është e vetmja gjë për të cilën diskutohet, edhe larmishmëritë e librave të sugjeruar nuk mungojnë. Diskutimet për librat kalojnë kufijtë e letërsisë, kësisoj shijet e lexuesve mund të diskutohen edhe përtej këtij lëmi.

“Diskutimi në grup tejkalon edhe kufijtë e letërsisë. Në grup diskutohet edhe për libra psikologjikë (më shumë në rrafshin e mendimit pozitiv), filozofikë e historikë. Rekomandimet për librat janë të ndryshme, duke filluar nga letërsia, historia dhe filozofia, por në këtë rast dominojne librat letrarë. Më shumë rekomandohen romane, poezi e libra shkencorë”, shtoi Sherifi.

Ai gjithashtu theksoi se shumica e këtij grupi janë aktivë, qoftë përmes postimeve, qoftë përmes komentimeve, anipse, sic thotë ai, disa nga ta janë më aktivë dhe postojnë më shpesh.

“Kur postohet ndonjë temë ose ndonje recensë, shumica e grupit bëhen aktivë. Jo të gjithë janë aktivë në grup, disa maniakë postojnë më shpesh sesa disa të tjerë dhe kështu krijohet një balancë mes postuesit dhe komentuesit. Me sa e kam vërejtur si administrator, lexues të interesuar ka dhe kohëve të fundit, fatmirësisht, është duke u krijuar një kulturë leximi, sepse disa nga postimet që bëhen, janë edhe në formë të ndihmës së cilin libër ia vlen ta lexojmë”, nënvizoi ai.

Sherifi tutje u shpreh se debatet në grup nuk janë shumë të shpeshta, megjithatë janë cilësore, veçmas kur bëhet fjalë për cilësinë e përmbajtjes së librit.

Një problem që evidenton Sherifi, sidomos kur flitet për letërsinë, është mungesa e kritikës së mirëfilltë letrare, edhe pse, sic shprehet vetë ai, ka përjashtime të vogla në këtë drejtim.

“Kritika letrare në Kosovë është e zbehtë, kësisoj vërehet edhe në grup…janë disa përjashtime, por kritika e vërtetë mungon, fatkeqësisht”, shtoi ai.

Për fund, në pyetjen se cila është forma më e mirë që ndihmon në “mbjelljen” e kulturës së leximit, ai u përgjigj:

“Kultura e leximit “mbillet” të fëmijët kur prinderit lexojnë. D.m.th., fëmija imiton sjelljet e prindërve, dhe, kur prindërit kanë libër ne dorë, automatikisht fëmija bëhet kurioz që ta njohë librin. Kur fëmijët rrethohen nga librat që janë trashëgim nga prindërit dhe e ka një bibliotekë në shtëpi, ai atëherë do të bëhet lexues i mirëfilltë. Me një fjalë, leximi “mbillet” që nga mosha e hershme”, përfundoi ai.

Youtube

Arkiva

Kategoritë