Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Ditari i një(farë) deputeti (III) – Fitim Uka

Kur u anëtarsova në Lëvizjen Vetëvendosje, përveç urimeve (aty-këtu ndonjë fyerje a sharje pa/me pagesë), kishte edhe pyetje. Jo të rralla ishin ato të tipit, “çfarë kërkove?”, “çfarë të ofruan?”, “çfarë more?” apo “me cilat kushte u anëtarësove?”. Të rrallë, krejt të rrallë ishin ata që e besuan të vërtetën (e besojnë edhe sot), që isha kyçur pa asnjë kërkesë dhe pa asnjë ofertë, ashtu siç bëri edhe motra ime 11 vjet më parë. Po ofroja gjithçka kisha për kauzën, një copë dije modeste, disa vjet shkollim brenda e jashtë vendit, njëfarë përvoje shkencore që reflektohej në publikime, njëfarë reputacioni modest, asnjë ditë përvojë politike (ngjyra të tjera partiake), thënë shkurt njëfarë CV-je të rëndomtë dhe pa e ditur që do të bëhesha njëfarë deputeti. Po ofroja gjithçka në shërbim e “falas” në një kohë kur fituesi edhe nuk dihej bash qartë (jo bash si në zgjedhjet e fundit). E kisha dëshirën për të dhënë kontribut. Dikush jipte të holla, dikush tjetër ishte burgosur e dikush edhe kishte dhënë jetën për kauzën e Lëvizjes. Unë po ndaja pak prej kohës sime – që ishte asgjë. Nuk isha i pari i familjes që i bashkohesha Lëvizjes, duke qenë se motra ime kishte qenë kandidate për deputete qysh në vitin 2010 dhe as i vetmi i familjes që po ofroja kontributin tim (por disa e bënin në heshtje edhe atëherë dhe vetëm sot gozhdohen publikisht). Unë po hyja “all in” në një kohë kur kisha rehatinë e të qëndruarit apolitik. Por, kjo edhe mund të jetë shumë pak krahas sakrificës që kanë bërë të tjerët. Gjithë çfarë ofroja unë ishte pak prej dijes dhe kohës time, anipse Lëvizja mund të mos kishte nevojë për të, siç edhe dëshmohet për çdo ditë. Sot, kam mësuar, që në Lëvizje shpërblimet vijnë si përgjegjësi. Sot jam shpërblyer nga Lëvizja me çmimin e anëtarit të Komisionit Parlamentar për Arsim. Prandaj, do të përpiqem që detyrën time ta kryej me nder. Kauza ime është arsimi. Për këtë më kanë votuar njerëzit, që mund të jenë pak për dikë, por janë shumë për mua. Dhe, unë do të përpiqem që këtë besim ta shpaguaj me punë dhe përkushtim.

Një herë më pat ndodhur që të prezantoja në një konferencë ndërkombëtare dhe aksidentalisht të fitoja një çmim. Me t’u kthyer në Kosovë, u organizua një konferencë e ‘madhe’. Meqë nuk mjaftoheshin me emrat vendor, organizatorët ftuan edhe kolegë ndërkombëtarë. Një mik i imi ia doli ta “peshkonte” një ndërkombëtar dhe e prezantoj si një nga “ekspertët më të mirë të fushës”, si një studiues “të pakrahsueshëm” e shumë “të respektuar”, “të jashtëzakonshëm” dhe me “shumë përvojë”. Paguan edhe një shumë të majme për ta sjellë në Kosovë. Emri i tij më tingëlloi i njohur, por i thashë vetes që kështu tingëllojnë emrat e huaj, të njohur, sepse shoh shumë filma. Por, në fakt, edhe kishte qenë i njohur. Nuk e kisha parë në film e as në ndonjë shfaqje televizive, por e kisha parë poster prezantimin e tij në konferencën që kisha fituar (poster prezantimi është prezantim për fillestarët kryesisht). Krejt rastësisht kuptoj, që “gjeniu ndërkombëtar” ishte hiq më shumë se sa një prezantues i rëndomtë, një studiues që me 10 vjet përvojë pune në akademi nuk numëronte asnjë publikim të hajrit, por që emri i tij dhe në veçanti të qenurit “i huaj” (dhe anglishtja) e bënte shumë të vlefshëm në Kosovë. Teksa i sqaroja mikut tim që kolegu i tij ndërkombëtar është një anonimus dhe ia përplasja fytyrës emrin e tij të kërkuar në google scholar që nuk më nxirrte asnjë publikim cilësor, ai e arsyetonte ftesën e tij me refrenin e shumë dëgjuar “ky ka lidhje shumë gjithkah… ka edhe pare prej projekteve ndërkombëtare… kemi me ia pa hajrin”. Kjo, veçse e vërteton paradigmën e famshme, që “ajo çfarë është e jona vlen më pak” dhe vetëm kur e humbim ia dimë vlerën, sikurse edhe të vërtetën tjetër që e kompleton të parën, që “ajo që është e huaj vlen përherë më shumë”. Kjo paradigmë po zbehet në akademi, por po merr kuptim përherë në politikë. Përderisa busulla e suksesit në akademi janë publikimet dhe cilësia në mësimdhënie (e përkthyer në arritjet e studentëve), në politikë busulla e suksesit përsoset përherë, ridizajnohet për t’i rënë më tamam mikut. Dhe, kur flitet për meritokracinë në politikë, është njëlloj sikur kur i thonë fshatarit që për të qenë kryetar fshati duhet të ngjet i pari malin, por sapo të ketë arritur atje kupton që dikush e ka ndryshuar rregullin dhe do të bëhet kryetar fshati ai që po pin ujë në rrjedhën e lumit. Ec e bjeri në fije!

U riktheva sërish në komisionin parlamentar për arsim, aty ku në legjislaturën e kaluar isha një zë opozitar. Dëgjohesha pak, jo që flisja me zë të vogël e rrallë, por për shkak se asnjë argument, plan dhe propozim konkret nuk mposhti dot arrogancën e numrave dhe zhurmën e qeverisë. U takuam sot në mbledhjen inauguruese të komisionit të ri parlamentar për arsim. Takimi i parë, formal ashtu siç i ka hije ngjarjes, por edhe i shkurtër. Megjithatë, një forum i tillë nuk mund të kalonte pa një debat. Dhe, në ata pak minuta sa mund të kishte vëmendje nga kolegët, thashë shkurt atë që e ndjej dhe mendoj që duhet të jetë fokusi i punës sonë.

1. Punë dhe përkushtim në zhvillimin e infrastrukturës ligjore që kishte munguar në mandatin e kaluar. Në veçanti, një ligj të domosdoshëm për Agjencionin e Akreditimit të Kosovës, që na hap rrugën për ENQA dhe EQAR.

2. Këshilla, rekomandime dhe mbështetje për realizim të çështjes së mësimit virtual në kohën e pandemisë. Mendoj që mund të organizohet më mirë dhe të ketë më tepër efikasitet.

3. Punë dhe përkushtim konkret në përmirësimin e cilësisë në arsim. Jo vetëm ligje, por edhe monitorim i zbatimit të tyre, edhe monitorim i cilësisë dhe nxitje e reagimit qeveritar për të adresuar sfidat në këtë drejtim.

4. Dhe, punë të pavarur e meritokraci në emërimet e bordeve dhe këshillave në të gjitha fushat që janë nën monitorimin tonë. Nuk është keq për fillim. Por, është shumë larg nga ajo që pres nga vetja. Nuk mund dhe nuk duhet të mjaftojnë vetëm deklaratat. Tash me qeverinë tonë, është koha që të shohim në jetësim secilin plan, program e ligj që e përmirëson cilësinë e arsimit në Kosovë. Përpjekja nuk do të mungojë, pak fat më duhet dhe besoj që nuk do të jetë një tregim zhgënjimi./FamiljaJonë/

Youtube

Arkiva

Kategoritë