Shkruar nga: Dr. Blerim Myftiu – Neurolog
Koncepti i agjërimit ndryshon nga qëllimi për të cilin bëhet ai. Kuptimi fetar islamik nënkupton shmangien e ushqimit dhe të lëngjeve nga koha pak para agimit deri te perëndimi i diellit. Por, në shumë studime shkencore mjekësore agjërimi nënkupton moskonsumimin e ushqimit për kohë të caktuar, pa rregulla strikte të shmangies së ujit dhe lëngjeve. Çfarëdo qoftë qëllimi apo koncepti i agjërimit, dr. Mark Mattson, neuroshkencëtar dhe profesor në Universitetin Johns Hopkins, shpjegon disa dobi të agjërimit për trurin.
Në gjendje të ngopur, glukoza apo sheqeri paraqet burimin kryesor energjetik të qelizave. Mirëpo, pas 10 deri në 14 orë të agjërimit, harxhohen depot emergjente të mëlçisë me sheqer. Kjo gjendje i shtyn qelizat dhjamore ta lirojnë yndyrën në qarkullim. Yndyra udhëton drejt mëlçisë ku ajo shndërrohet në ketone, të cilat paraqesin grimca të vogla yndyrash që mund të përdoren si burim energjetik.
Studimi i kafshëve të egra në natyrë që kalojnë ditë të tëra pa gjah apo i minjve në kushte laboratorikë me agjërim të imponuar, hedh dritë mbi atë se çka i ndodh trurit në këso raste. Gjetjet janë në favor të asaj se truri gjatë agjërimit ka funksione kognitive, aftësi nxënieje e mbamendjeje dhe nivel zgjuarsie më të lartë. Minjtë që çdo të dytën ditë e kanë kaluar pa ushqim, gjatë muajit “të agjërimit” kanë treguar durim më të madh fizik në treadmill.
Në këta minj, agjërimi dhe aktiviteti fizik stimulojnë prodhimin e proteinës në qelizat nervore të quajtur faktor neurotrofik të buruar nga truri apo BDNF. Kjo proteinë ka rol kritik në nxënie, mbamendje dhe gjenerimin e qelizave të reja nervore në hipokampus (qendra e memories në tru). Agjërimi nxit edhe procesin e quajtur autofagji – ku qelizat i mënjanojnë molekulat e dëmtuara dhe mitokondritë disfunksionale. /Familja Jonë