Përdorimi i Melatoninës me efekt të zgjatur përmirëson gjumin tek fëmijët me Çrregullim të Spektrit Autik (ASD) dhe shoqërohet jo vetëm me përmirësimin e sjelljeve eksternalizuese te fëmijët, por gjithashtu me një përmirësim të cilësisë së jetës për prindërit. Këto ishin rezultatet e dy studimeve të paraqitura në Kongresin e Shoqatës Europiane të Psikiatrisë (EPA) që u mbajt në Poloni, Varshavë 6-9 Prill 2019.
Dr. Sonila Tomori shpjegon se “Melatonina është një hormon që normalisht prodhohet në trurin e njeriut dhe që rregullon ciklin gjumë-zgjim. Melatonina ka një rregull në lidhje me sasinë e prodhuar sipas ciklit ditë-natë. Kështu prodhohet në sasi më të madhe në darkë ndërsa individi bie për të fjetur dhe përgjatë orëve të para të gjumit, fillon ulet sasia e saj pas disa orëve gjumë dhe gjendet në sasi fare të vogla në mëngjes.”
A gjendet melatonina si ilaç?
Dr. Sonila Tomori thotë se “Po, ka melatoninë të prodhuar në mënyrë farmaceutike si tableta në doza të ndryshme dhe me efekt të menjëhershëm ose të zgjatur.”
Studiuesit e Yulius Mental Health Organisation, Barendrech, Hollandë, prezantuan përfundimet e studimit me tre faza mbi efektin e melatoninës në përmirësimin e gjumit tek fëmijët me autizëm. Ata treguan se së bashku me përmirësimin e gjumit u vërejt përmirësimi i sjelljes eksternalizuese ndërmjet fëmijëve, si dhe përmirësim domethënës në cilësinë e jetës së prindërve për këtë arsye.
Ndërsa studiuesit e “Department of Child and Adolescent Psychiatry”, në Strasburg, France, paraqitën të dhënat e një studimi të hapur, prej nga rezultoi se fëmijët e trajtuar me melatoninë me veprim të zgjatur kishin zgajtur kohën e të qenit në gjumë, i kishte zënë gjumi më shpejt dhe kishin orë më të gjata gjumi pa zgjime gjatë natës
Dr. Sonila shpjegon pak më gjatë se “Sjelljet eksternalizuese si hiperaktiviteti dhe agresiviteti janë mjaft të shprehura të një pjesë e madhe e fëmijëve me autizëm dhe ndikojnë negativisht në cilësinë e gjumit tek këta fëmijë.”
Objektivi i studimit ishte të përcaktonte efikasitetin dhe sigurinë e melatoninës dhe u realizua në tre faza në disa qendra njëkohësisht ku morëm pjesë fëmijë me autizëm dhe fëmijë me të tjera diagnoza të neurozhvillimit të cilët kishin probleme me gjumin dhe u përdorën melatonina dhe placebo. Fëmijët e dy grupeve përdorën në fazën e hapur të studimit melatoninë në dozën 2mg, 5mg dhe 10mg në ditë.
Rezultatet prej fazës 13 javëshe të trajtimit treguan përmirësim të rëndësishëm (krahasuar me kohën para studimit) të totalit të kohës së gjumit dhe të sjelljes eksternalizuese të matura me pyetësorin SDQ të fëmijëve që përdorën melatoninë kundrejt grupit të placebo-s. Ndërsa ndikimi mbi prindërit u vlerësua me indeksin e Organizatës Botërore të Shëndetit – Well-Being (WHO-5). Vlerësimi tregoi se prindërit e fëmijëve që kishin përdorur melatoninë kishin përmirësim të cilësisë së jetës kundrejt atyre që kishin marrë placebo. Po ashtu prindërit u shprehën edhe nëpërmjët vlerësimit me Indexin e Problemeve të gjumit për fëmijët e tyre të të dy gupeve me melatoninë dhe me placebo. Rezultoi si më poshtë: 41 fëmijët e trajtuar me melatoninë vazhduan për 52 javët në vijim të flinin 62 minuta më shumë sesa në fillim të studimit. Ata kishin një kohë më të shkurtër të rënies në gjumë afërsisht 48 minuta më shpejt krahasuar me fillimin e studimit.
Po ashtu cilësia e gjumit ishte përmirësuar ndjeshëm dhe numri i zgjimeve natën kishte rënë më shumë se 50%.
Në lidhje me dozën e duhur për të arritur këto rezultate studimet treguan se 1/3 e fëmijëve reaguan kënaqshëm me dozën 2mg/ditë që është dhe minimumi i dozës së studimit; rreth 50% patën nevojë për melatoninë në dozën 5mg/ditë dhe një grup i vogël rreth 20% patën nevojë për melatoninë në dozën 10mg/ditë, për të përftuar efektin e kënaqshëm.
Po sa gjatë mund ta përdorim këtë trajtim?
Drejtuesja e qendrës për çrregullimet e gjumit dhe të frymëmarrjes në New York në “New York-Presbyterian Hospital and Weill Cornell Medicine”, vlerëson rezultatet e studimeve dhe se këto konfirmojnë çfarë klinicistët kishin vënë re por që përdorimi afatgjatë mbetet një çështje që duhet vlerësuar me kujdes.
Dr. Sonila shton se “Dihet që melatonina është një nxitës shumë i efektshëm i gjumit, por është më pak i efektshëm në mbajtjen e gjumit për kohë të gjatë. Nëse i referohemi niveleve fiziologjike të melatoninës ka një ecuri të tillë: rritje të sasisë së saj në kohën kur biem për të fjetur që vazhdon për disa orë pasi na zë gjumi, pasuar me një ulje të lehtë përgjatë gjumit dhe me një ulje drastike në mëngjes.”
Kështu studiuesit mendojnë se mbajtja e niveleve të larta të melatoninës përgjatë gjithë natës, gjë që nuk është fiziologjike, ka efekte të panjohura dhe ka nevojë për vlerësim të kujdesshëm. Për më tepër ndonëse melatonina konsiderohet e sigurt në përdorim, ka efekte anësore të panjohura të cilat ende nuk kanë qenë pjesë e studimeve. /Familja Jonë