Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Hetime e akuza për vaksinat kur Kosovës po i harxhohen dozat

Prokuroria e Shtetit ka nisur hetime pas konferencës të së premtes mbrëma të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ku mohoi raportimet në media për mosnënshkrim të kontratës për sigurimin e vaksinave dozave “Pfizerit”. Njoftimi i Prokurorisë ka nxitur reagimin e partive opozitare të cilat nisjen e hetimeve “për zbulim të fshehtësisë zyrtare” e kanë vlerësuar si sulm ndaj demokracisë. Por, Prokuroria më vonë sqaroi se hetimet nuk kanë nisur ndaj mediave, por ndaj personave zyrtarë

Me pak doza vaksinash në stok derisa vdekshmëria nga COVID-19 në Kosovë vazhdon të jetë e lartë po aq sa numri i rasteve të reja të infektimit, diskutimeve u janë shtuar pajtime e mospajtime për sigurimin e dozave shtesë. Prokuroria Themelore e Prishtinës njoftoi të shtunën se ka nisur hetime për veprën penale “zbulim të fshehtësisë zyrtare” pasi në media u publikuan dokumenteve të negocimit të kontratës midis Kosovës dhe kompanisë “Pfizer” e cila prodhon vaksina kundër koronavirusit.

Njoftimi për nisjen e hetimeve erdhi një ditë pasi këtë e kërkoi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili në një konferencë për media të premten mbrëma raportimet se ai ka neglizhuar kontratën për sjelljen e vaksinave të “Pfizerit”.

“Pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘Zbulimi i fshehtësisë zyrtare’, nga neni 426 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Por pak orë pas këtij njoftimi Prokuroria publikoi një tjetër komunikatë ku sqaroi se hetimet po zhvillohen ndaj personave zyrtarë dhe jo ndaj mediave e gazetarëve. “…për këtë çështje është hapur rast në drejtim të veprës penale ‘Zbulim i fshehtësisë zyrtare’, nga neni 426 të KPRK-së dhe se veprimet hetimore do të ndërmerren ndaj personave zyrtarë, e jo ndaj mediave dhe gazetarëve, ashtu siç është raportuar nga portali në fjalë”, thuhet në njoftimin e dytë.

Mirëpo, Parim Olluri, drejtor mediumit “Insajderi” që ka publikuar artikullin për këtë çështje, ka njoftuar se të shtunën është intervistuar nga policia.

Nisja e këtyre hetimeve ka nxitur reagime në opinionin publik, duke përfshirë edhe partitë opozitare. Në një konferencë për media, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se dënojnë sulmet që mund t’u bëhen mediave, derisa ka ftuar Qeverinë që të sqarojë kontratën për vaksinat.

“Kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit që mos të bjerë nën ndikimin e kryeministrit Kurti. Pra, sulmi ndaj mediave të lira në republikën tonë është i papranueshëm. Nxjerrja në pah e dështimeve të Qeverisë së Kosovës, nxjerrja në pah e abuzimeve që mund të ndodhin nga Qeveria dhe ministrat e kësaj qeverie janë tepër të rëndësishme”, ka thënë Tahiri.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se dështimi në sigurimin e vaksinave nuk guxon të zëvendësohet me sulm e kërcënim ndaj mediave.

“E vërteta është interesi i vetëm publik. Mediat kanë për detyrë të nxjerrin këtë të vërtetë; pushteti – që i ka krejt – ka për obligim t’i gjejë vaksinat. Fjalë e arsyetime kemi pasur plot. Punë s’po shohim dot. Kërcënimi s’është punë; e as që bën punë. Dobët, dobët shumë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. Mbrëmjen e së premtes, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk dha informacione rreth negociatave për sigurimin e vaksinave, me arsyetimin se kjo çështje është konfidenciale./KOHA.net

Youtube

Arkiva

Kategoritë