Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Cka është demenca dhe cilat janë format e saj? Shpjegon neurologu Fatos Morina

Gjatë mbrëmjes së sontme, në emisionin “Takim virtual me Shëndritin” ishte i ftuar neurologu Fatos Morina, me të cilin u diskutua për vaksinën AstraZeneca dhe ndërlidhjen e saj me trombozën trurore dhe trajtimi i kësaj të fundit.

Për afro një orë sa zgjati kjo lidhje e drejtpërdrejtë, shikuesit patën mundësi të informohen më shumë rreth vaksinës në fjalë dhe mënyrës së manifestimit të trombozave.

Një cështje  që u diskutua në emision ishte edhe sëmundja e demencës e cila, sipas Morinës, do të jetë kërcënim serioz për vendet që konsiderohet që e kanë popullsinë më të moshuar. Ai theksoi se kjo sëmundje i prekë më shumë moshat e shtyera dhe shfaqet në forma të ndryshme.

“Demenca është një sëmundje neurodegjenerative e Sistemit Nervor Qendror. Kjo sëmundje shfaqet te moshat më të shtyera (mbi 75 vjec). Meqenëse në vendet e zhvilluara popullata vecse është në plakje dhe jetëgjatësia është në rritje, demenca pritet të jetë një kërcënim serioz për jetët e personave të moshuar atje, por, pa dyshim, demenca do të jetë temë edhe në Kosovë”, shpjegoi ai.

Morina tutje u ndal te format e shfaqjes së demencës.

 “Ekzistojnë disa forma të demencës, por demenca më e shpeshtë është demenca Alzheimer, ku shfaqet në 40 deri në 70 për qind të rasteve. Pas saj vjen demenca e cila shkaktohet nga infarktet e shpeshta trurore, që paraqiten në 15-20% të rasteve, kurse pjesa tjetër e demencave janë prej atyre që nuk i shohim shumë shpesh, por që janë të rëndësishme për t’u diagnostifikuar”, shtoi Morina.

Ai shpalosi gjithashtu edhe rekomandimet për parandalimin e demencës të cilat mund të jenë efikase në këtë aspekt.

“Si prioritet numër një kur shfaqet demenca është analfabetizmi, pastaj, si masë për trajtimin e demencës, duhet që të gjitha moshat ta rregullojnë tensionin arterial. Rekomandimi tjetër është trajtimi i shurdhësisë me aparate për dëgjim në raste kur shfaqet ajo, pasi është vërejtur një lidhshmëri në mes të problemeve me dëgjim dhe shfaqjes së demencës. Pas tyre, si rekomandime për parandalimin e demencës, vijnë reduktimi i peshës dhe aktiviteti fizik, pastaj vjen edhe trajtimi strikt i diabetit për personat që vuajnë nga kjo sëmundje. Një gjë e rëndësishme në këtë drejtim janë edhe kontaktet e mjaftueshme sociale, e që ky element në Kosovë nuk mungon. Në manifestimin e demencës ndikon konsumimi i alkoolit, pastaj janë faktorët të cilët nuk mund t’i ndryshojmë e që janë traumat e shpeshta të kokës (bokserët për shkak të goditjeve që marrin janë më të rrezikuar në këtë pikë) dhe ndotja e ambientit po ashtu ndikon negativisht në këtë aspekt”, përfundoi ai. /familjajone

Youtube

Arkiva

Kategoritë