Efektet e zakonshme anësore pas marrjes së vaksinës AstraZeneca janë paraqitur te një pjesë e punëtorëve shëndetësorë në vend. Temperaturë, lodhje e reaksione tjera janë paraqitur në ditët e para pas vaksinimit te punëtorët shëndetësorë. Ata tregojnë se gjendja e tyre tani është e mirë.
Temperaturë, ethe, lodhje e simptoma tjera, iu shfaqën punëtorëve shëndetësorë pas marrjes së vaksinës kundër COVID-19. Megjithatë, këto simptoma vlerësohen normale pas marrjes së vaksinës. Punëtorët shëndetësorë kanë treguar për Express se pas vaksinimit kanë pasur simptoma të lehta, por që tashmë ato i kanë kaluar dhe gjendja e tyre është e mirë.
Kryetari i Odës së Mjekësve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, pas marrjes së vaksinës Anti-COVID të dielën, ka pasur temperaturë e lodhje.
Megjithatë, për këto simptoma, ai është lajmëruar para se të merrte vaksinën.
Sejdiu ka treguar se simptomat kanë qenë normale dhe të menaxhueshme.
“Të dielën unë jam vaksinuar dhe kam pasur reagime, temperaturë të menaxhueshme dhe lodhje. Ne na kanë lajmëruar para se të vaksinoheshim për këto simptoma. Ato janë normale dhe nuk ka asgjë serioze”, ka thënë ai.
Sejdiu ka deklaruar se as si Odë e Mjekëve nuk kanë marrë ndonjë ankesë për përkeqësim të gjendjes shëndetësorë të punëtorëve tjerë të vaksinuar.
“Deri më tani nuk kemi asnjë ankesë, dhe brenga e vetme e jona është numri jo i kënaqshëm i të vaksinuarve. Simptomat janë raportuar si simptoma normale, asgjë serioze. Ndërsa, nuk kemi pasur informacione as për raste të cilat pasi janë vaksinuar janë infektuar”, ka deklaruar ai.
Edhe drejtori i Klinikës së Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Musa Hoxha është vaksinuar kundër COVID-19.
Ai ka treguar për Express se gjatë javës së kaluar është vaksinuar kundër këtij virusi dhe se ka pasur simptoma të lehtë pas marrjes së vaksinës.
Ai ka thënë se ka pasur edhe ankesa nga punëtorët shëndetësorë të kësaj klinike, por që këto simptoma janë normale pas marrjes së vaksinës.
“Ka pasur ankesa të cilat janë normale për një vaksinë. Unë jam vaksinuar të enjten dhe kam pasur simptoma të lehta gjatë natës, të zakonshme. Tani jam mirë dhe në përgjithësi procesi ka shkuar mirë”, ka thënë ai.
Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka thënë se deri tani nuk kanë marrë asnjë ankesë nga personat që janë vaksinuar kundër COVID-19.
Ai ka treguar se si komunë janë furnizuar me 980 vaksina dhe po vazhdojnë vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë.
“Ne jemi furnizuar me 980 vaksina. Nuk kemi pasur raste që janë ankuar, të paktën ne nuk jemi të njoftuar që dikush është ankuar pas marrjes së vaksinës. Po ashtu nuk kemi informacione as që virusi është kthyer te dikush që e ka marrë vaksinën. Ndërsa, gjendja me pandeminë vazhdon të jetë e ngjashme”, ka thënë ai.
Zyrtarë për media në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë po ashtu për gazetën se zyrtarisht nuk është raportuar për ndonjë efekt të rëndë pas vaksinimit me vaksinën e AstraZenecas.
Nga kjo ministri është thënë se në momentin që do të raportohen raste të tilla, grupi për monitorim të këtyre efekteve do të merret me rastin.
“Nuk ka zyrtarisht raportime për ndonjë efekt të rëndë pas vaksinal nga vaksinimi me AstraZeneca në Kosovë. Në momentin që raportohet tek mjeku familjar apo mjekët e emergjencës, grupi për monitorim të këtyre efekteve do të merret me rastin”, është thënë për gazetën.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar sot para mediave se vaksina është e sigurt dhe nuk ka efekte serioze.
Ai ka thënë se nuk ka pasur efekte serioz te asnjë nga ata që janë vaksinuar deri tani.
Kujtojmë që temperatura, lodhja, dhimbja e kokës dhe e muskujve, ethet e simptoma tjera të lehta, janë vlerësuar si efekte të zakonshme anësore pas marrjes së vaksinës së AstraZenecas.