Shkruar nga: Besime Imeri Ajeti
Rrëfimet jetësore gjithmonë kanë dhimbje edhe brenda buzëqeshjes, shpesh deri të një buzëqeshje i lagim buzët me shumë lot.
Të jetosh në një kohë moderne, në një gjeneratë e cila po ecë me frymë evropiane, ku të drejtat janë të barabarta, dhe të luftosh “dhëmbë me dhëmbë” me realitetin dhe mentalitetin e vendit tënd është shumë e vështirë.
Sot po e ndaj një temë, shumë aktuale tek në. Çdo temë që e kam ndarë me ju janë përvojat e mia në jetën private dhe vajzat e mia janë inspirim për çdo rresht të shkruar.
》 Të gëzoftë Zoti me një djalë《
Të urosh një grua me këtë urim është nënçmim, është ofendim direkt, përbuzje dhe diskriminim i qenies më të brishtë në univers.
Kur isha adoleshente acarohesha shumë me këtë ide. Por deri diku e arsyetoja mentalitetin e nanave tona për këtë ide sepse me atë mentalitet janë rritur. As edhe një të drejtë nuk kanë pasur bile bile s’kanë pas të drejta as për trupin e tyre jo më diçka më konkrete. Për sa kohe kanë jetuar në familjet e tyre, për femrat çdo vendim e ka marr babai dhe pas martesës burri i ka pas të gjitha të drejtat mbi të. Thellë brenda vetës mendoja që në, gjeneratat e reja do jemi me një frymë tjetër, do të bëjmë ndryshimin ma të madh prej këndit tonë dhe nuk do diskriminojmë.
Ndryshimi i ligjit patriarkal fillon me dëshirën tonë, me vullnetin tone me vetë vetën tonë, për të zgjeruar kulturën se djali nuk është oxhaku i shtëpisë!
Tradita shekullore e shqiptarëve vazhdon edhe në këtë kohë moderne të kërkojë me ngulm djalë për ta bërë shtyllë të shtëpisë.
Tradita shqiptare vazhdon edhe sot e kësaj dite ta nënçmojë personin që po atë djalë e sjell në jetë.
Në familjet shqiptare të lindesh një djalë quhet fitore e madhe krahas lindjes së një vajze që e quajnë humbje dhe dështim i familjes.
Për djalin gatuhet petulla, festohet e urohet ndërsa për vajzën asgjë tjetër pos “mjera kjo”!
Kur isha shtatzënë në Ajzaah, ishte shtatzënia ime e dytë dhe kur rrëfehesha që beba ishte vajzë të gjithë më shikonin me syrin prej gjynahi. Që të gjithë më thonin “hajt hajt e re je ti bon përsëri djalë” ose “oj qyqe oj qyqe dy katune me i pas gajle” ose “çikat janë gajle derisa të shkojnë në derë të huaj”!
A thua vallë unë me dorë e krijojë gjininë e bebes!
Ku unë në asnjë moment përgjatë 9 muajve nuk jam brengos dhe nuk jam mjeruar që e kam vajzë!
Imagjinoni pak, janë në gjendje me ta martuar vajzën që në bark. Që në bark e diskriminojnë duke thënë”e derës huj”!
As edhe një person nuk erdhi të më thotë “urime, shtatzëni të mbarë e bebe të shëndoshë”!
Kur shkova në kontrollin e fundit të 3 mujorit të parë të shtatzënisë, përpara se me u nisë, bashkëshorti me tha: “Bes, nëse është vajzë dhe veç të dëgjoj duke u mërzit e duke u mjeruar, prej në shtëpi të them, mos hajde më në shtëpi. Nëse veç e lejon vetën tënde, karakterin tënd të fortë me ta mposhtë fodullet e lagjës do më zhgënjesh shumë.
Po them që më dashtë të dy gjinitë një nënë është më se normale dhe do e quaja ideale, por me kërkua djalë me ta mbajt oxhakun e shtëpisë…. shumë egoiste. Po, po, shumë egoiste.
Po kërkojmë djalë për nevojat tona personale! Për çka?
Për me u kujdese në pleqëri, vetëm për pleqëri për asgjë tjetër.
Nëse veç mendojmë që djali është ai që e mban shtëpinë gjallë, gabohemi!
Nëse veç mendojmë që djali është më i suksesshmi, prapë gabohemi!
Vajzat e reja, nanat e reja një herë e përgjithmonë duhet të dalin nga moçali i ligjeve patiarkale dhe ligjet e traditës shumë shekullore shqiptare.
Vajzat e reja dhe nanat e reja duhet të kërkojnë bebe të shëndoshë krahas gjinisë!
Edhe Krijusi jonë thotë: “E bekuar është ajo nënë që sjell në jetë një vajzë. Ajo që sjell dy vajza është edhe më e bekuar.”